Reklama

Qeveria: Paga minimale në Kosovë do të jetë 250 euro

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovë, Besnik Bislimi ka paralajmëruar se paga minimale në Kosovë do të bëhet 250 euro.

Kurse, Sindikatat e Pavarur kanë thënë se paga minimale nën 400 euro nuk do të jetë e pranuar. Paga minimale në Kosovë është  170 euro, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka paralajmëruar se paga minimale në Kosovë do të rritet në 250 euro. Megjithatë, theksoi se e njëjta nuk duhet të jetë pengesë në krijimin e vendeve të punës për punëtorët me produktivitet të ulët.

Në prezantimin e studimit “Perspektiven e Përgjithshme: Agjenda Progresive Ekonomike për Kosovën” nga Zyra e Fondacionit Gjerman Friedrich Ebert (FES), Bislimi tha se grupet që diskutojnë për pagën minimale duhet të jenë ekspertë dhe jo grupe të interesit.

Sipas tij, nuk mund të kenë interes sindikatat për pagën minimale, pasi siç tha s’ka asnjë logjik që dikush të hyjë në sindikatë, kur merr pagën minimale.

“I kuptoj shqetësimet për pagën minimale. Modeli që keni hartuar është pothuajse 100 për qind në përputhshmëri me objektivat e qeverisë. Mendojmë gjithashtu se paga minimale duhet të jetë rreth numrit magjik, 250 euro. Për mua është shumë e rëndësishme të kuptohen, dy elementë. Paga minimale nuk duhet të jetë një pengesë në krijimin e vendeve të punës për punëtorët me produktivitet të ulët. Pra, duhet të sigurohemi që ajo të mos kalojë një prag të caktuar, si pjesë e pagës mesatare. Studimet e tregut të punës kanë treguar se kalueshmëria është rreth 56 për qind e pagës mesatare. Sapo të bëhet më e lartë se 56 për qind, atëherë i dëmton njerëzit. Dhe elementi i dytë që është shumë i rëndësishëm për mua, është të sigurohemi që grupet që diskutojnë për pagën minimale duhet të jenë ato që kanë të drejtë të flasin, nuk duhet të jenë grupet e interesit, që do të kishin interes të përjashtonin këtë grup të caktuar punëtorësh nga konkurrenca. Dhe në këtë kontekst, nuk e kuptoj interesin që mund të kenë sindikatat për pagën minimale, sepse sindikatat duhet të përfaqësojnë njerëzit të cilëve nuk u paguhet paga minimale. Pra, nga ky këndvështrim, fituesit e pagës minimale janë konkurrentë për sindikatat. Nuk ka asnjë logjikë që dikush të hyjë në sindikatë, nëse ai ose ajo e merr pagën minimale”, tha Bislimi.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde i cili kërkoi nga ekzekutivi politika progresive.

Ai foli edhe për rolin e sindikatave në shoqëri, ku tha se fuqia e tyre në ekonominë moderne është zhdukur.

“Sindikatat gjermane kanë qenë pothuajse kundër pagës minimale, por parametrat ndryshojnë sepse fuqia e sindikatave u zhduk në ekonominë moderne, si në ‘gig’ ekonominë, ekonomia e përbashkët, këta njerëz nuk janë të sindikalizuar dhe këtë vit, qeveria e re e zgjedhur socialdemokrate do të rrisë paga minimale në Gjermani për 20 për qind, sepse është treguar se fuqia e sindikatave nuk është më aq e fortë, ngase miliona njerëz mund të konkurrojnë ose kanë të ardhura të mira në tregun e punës. Mendoj se duhet parë, se çdo vend ka situata të ndryshme, por mendoj se është e rëndësishme që qeveria ka nevojë për të ardhura, pa dëmtuar ekonominë. Uroj që Qeveria në Kosovë të ketë vullnet politik për të përmbushur politikën progresive e cila përmban elemente të parashtruara në studim”, theksoi ai.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova ka nevojë për politika që promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale.

“Kjo është diçka që duhet të ndryshojë dhe dekarbonizimi i sektorit duke ruajtur sigurinë energjetike të përballueshme për qytetarët, veçanërisht për qytetarët në nevojë, do të jetë një nga sfidat kryesore me të cilat përballet vendi. Tani, për të adresuar të gjitha këto, mangësi të sistemit tonë ekonomik dhe social. Ne kemi nevojë për qeverisje më të mirë. Dhe kjo është diçka që ne si qeveri e marrim shumë seriozisht, por nga ana tjetër kemi nevojë edhe për politika më të mira, që promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale. Dhe këto politika duhet të bazohen në prova dhe ato duhet të jenë realiste në mënyrë që ato të adresojnë me të vërtet sfidat dhe ta bëjnë jetën më të mirë për qytetarët e Kosovës, prandaj studimet si këto janë kaq të mirëseardhura dhe ne me të vërtetë presim të punojmë së bashku për të zbatuar rekomandimet”, tha Rizvanolli.

E njëri ndër hartuesit e studimit të FES, Edison Jakurti tha se më e rëndësishme se vlera e pagës minimale janë parametrat që synohet me atë.

“Po diskutohet shumë për pagën minimale dhe masë të madhe po diskutohet për vlerën e pagës minimale. Mendoj se ma e rëndësishme se me u diskutu për vlerën është për parametrat se çka synojmë me pas me pagën minimale. Paga minimale nuk është diçka që duhet me u synuar prej punëdhënësve, por paga në të cilën nuk mundesh me ra. Disa propozime që po i dëgjojmë janë propozime shumë të larta që nëse i shohim të dhënat për ekonominë e Kosovës nuk janë të qëndrueshme”, deklaroi Jakurti.

Sindikatat  nuk po pajtohen me rritjen në 250 euro.  Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kërkon pagë minimale të jetë 350 euro.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, thotë se paga minimale duhet të jetë 350 euro e lart, sidomos tani kur çmimet janë rritur shumë.

Derisa thotë se paga minimale aktuale është diskriminuese, Hykolli bënë të ditur se kanë themeluar komisione për hulumtim dhe diskutim për pagën minimale.

“Çmimet kanë lëvizur shumë, edhe ato esenciale për jetën e njeriut kështu që ne jemi duke pritur komisionet sepse ata janë duke bërë një hulumtim për pagën minimale, mirëpo si BSPK mendojmë që pagat minimale duhet të fillojë negocimi për 350 euro e më lart. Paga minimale nuk është diskutuar e as diskutuar që nga viti 2011, kemi edhe një pagë minimale që është diskriminuese, është 170 euro për moshën mbi 30 vjeçare, dhe e kemi 130 euro nën moshën 30 vjeçare. Neve na duket se është një negocim i lartë, por po të ishte negociuar paga minimale nga viti 2011, atëherë ne do ta kishim një pagë minimale ndoshta edhe më shumë se shifrën që po e them tash”.

Kurse, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat (SPSK) s’është pajtuar as me raportimet për 250 euro pagë minimale e as për kërkesën e Bashkimit të Sindikatave për pagë minimale 350 euro.

Jusuf Azemi, kryetar i SPSK-së ka thënë se s’do të pajtohen me asnjë pagë minimale nën 400 euro.

“Nuk guxoj të them se cili do të jetë propozimi i kryeministrit për pagën minimale. Njëherë pati thënë 350 euro e më pas 250. Ne nuk duam të flasim se për cilën shumë e ka fjalën. Ne bëjmë me dije që nëse duhet biseduar për pagën minimale duhet me përfaqësuesit e sektorit privat dhe jo të tjerët. Neve nuk na pajton çfarëdo page që është nën 400 euro edhe pse kjo pagë është shumë e vogël”.

Azemi është ankuar për kushtet e punëtorëve në vend. Ka thënë se mbi 200 mijë punëtorë kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendit.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.

/Monitor.Al/

Ju rekomandojmë