Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se kryeministri Albin Kurti po mashtron edhe lidhur me Ligjin për Paga, sikurse edhe në shumë tema të tjera.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ish-kryeministri Haradinaj shprehet se Kurti fillimisht e ka kundërshtuar Ligjin për Paga në tërësi, ndërsa tani po e vonon implementimin, si dhe po manipulon me koeficientet, në bazë të të cilëve përcaktohen pagat në sektorin publik.
“Unë e kam quajt mashtrues kryeministrin Kurti. Për mua është mashtrues, e thashë edhe në parlament në prani të tij. Qasja mashtruese e tij në këtë temë do t’i shkaktojë shumë pasoja Kosovës. E ka kundërshtuar këtë ligj në përgjithësi, e ka vonuar implementimin, ndërsa tani po mundohet për të mashtruar edhe me koeficient edhe me koston e ligjit. Kjo është mjaft gabim”.
Sipas tij, Ligji i Pagave duhet të rirregullohet dhe pagat duhet të harmonizohen me shkallën e shtrenjtimeve që kanë ndodhur, sidomos muajve të fundit.
“Nëse Kurti nuk e sjell ligjin me 30 për qind rritje të koeficientit nga periudha kur është prezantuar ky ligj në parlament, herën e parë, për shkak se ka ndodhur rritja e çmimeve, atëherë i bie që ai po e vazhdon mashtrimin”, tha Haradinaj, për EO.
Ligji për Paga pritet të dërgohet në Kuvend nga Qeveria në muajin mars.
Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, e kishte dërguar në Projektligjin për pagat në Kuvend dhe ishte miratuar.
Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro. Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat.
Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në 2019 e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.
Më 30 qershor 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Çështja e Ligjit për Pagat është bërë temë e sindikalistëve të sektorëve të ndryshëm në Kosovë, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ky projektligj të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe të hyjë në fuqi këtë vit, dhe jo më 2023.
Nga Qeveria, javë më parë kanë thënë se janë duke punuar në Ligjin për Paga, dhe siç kanë thënë qëllimi primar i tij do të jetë që të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik, për dallim nga ai paraprak, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Presidenti i Kosovës do të ketë pagën më të lartë në vend, ndër funksionarët publikë, bazuar në draftin që ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Edhe pse nuk është caktuar vlera e koeficientit, në këtë listë presidenti ka vlerën më të lartë të koeficientit, 20.
Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri pasojnë listën me koeficient 19. Bashkë me ta është edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vlerë të njëjtë.
Nënkryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Kushtetueses kanë koeficient 17, ndërsa deputeti, ministri e gjyqtari i Kushtetueses me koeficient 16.
Koeficienti në kohën e Qeverisë Haradinaj ishte 239 euro. Ndërsa tani, sipas draftit të publikuar në medie, Qeveria Kurti i ka rritur koeficientët por i ka zvogëluar vlerën monetare të tij.
Në bisedën për Ekonomia Online, Haradinaj ka folur edhe për protestat dhe shtrenjtimin e rrymës, si dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Protestat e fundit të PSD-së në sheshet e kryeqytetit dhe në Zyrat e ZRRE-së janë përkrahur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj tha se pavarësisht mospjesëmarrjes së tij fizike në protestë, ka zgjedhur të kundërshtojë këtë vendim në parlament me qëndrime të qarta, ndërsa disa nga bashkëpartiakët e tij i janë bashkuar edhe protestës.
“Kanë të drejtë që protestojnë qytetarët. Protestat kundër shtrenjtimit të rrymës janë të drejta, të arsyeshme. Aleanca po proteston në mënyrën e vet, në këtë rast në parlament, me qëndrime të qarta, me ballafaqime të qarta. E kuptojmë irritimin e qytetarëve për këto fatura me çmime të rritura. Jemi me ta. Ne realisht e kemi përkrahur protestën edhe herën e fundit, jo si organizatorë por në pjesëmarrje ka pasur edhe anëtarë dhe kolegë të Aleancës”.
Ish-kryeminstri Haradinaj nuk beson se do të ketë zgjedhje së shpejti, pavarësisht rënies së përkrahjes popullore për Qeverinë Kurti.
“Për zgjedhjet në Kosovë nuk mund të flasim tash. Të ju them të drejtën më me rëndësi është të bjerë Qeveria Kurti sesa zgjedhjet. Po jemi opozitë dhe kërkojmë me ra kjo Qeveri, por me rëndësi është që kjo Qeveri t’i marrë përgjegjësitë për çka është e zgjedhur, pra të dalë përballë punëve, e jo të fshihet, si në rastin me dialogun”, tha Haradinaj.
/Ekonomia Online/