Reklama

A do të ketë krizë pas 1 janarit në tregun e punës në Kosovë? Demolli thotë se vështirë do të gjenden punëtorë me pagë 600 euro

Bizneset në Kosovë pritet të përballen me një sfidë të re pas datës 1 janar 2024, pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave. Restorantet, kafiteritë, dhe shumë biznese të tjera po shohin një ulje të numrit të punonjësve.

Në kërkim të punëtorëve, disa prej tyre kanë nisur të punësojnë punëtorë të huaj, të cilët shpesh vijnë nga vende të largëta si Pakistani, Bangladeshi, por qëndrimi i tyre në Kosovë, sipas ekspertëve është i përkohshëm dhe pa perspektivë afatgjate.

Situata është bërë edhe më e komplikuar me faktin që shumë nga këta punëtorë e shohin Kosovën si një pikë kalimi për të arritur në vendet e Evropës, duke krijuar një mungesë të qëndrueshmërisë në fuqinë punëtore.

Visar Demolli, drejtori Ekzekutiv i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) në një intervistë për Telegrafin ka thënë se mungesa e punëtorëve në Kosovë do të vërehet pas datës 15 janar.

“Që katër pesë muaj ka që dalim edhe në terren vizita nëpër biznese. Kjo krizë veç ka filluar, po prej janarit e tutje, na e kemi thanë prej 15 janarit, se fillimi i janarit pak dhe biletat shtrenjtë dhe kanë qejf me ne me familje, veç pritet që ka me qenë një krizë. Po tash, sa do zgjatë ajo krizë, a do të përballemi me vite, apo 5 muajt e parë, mbetet me u pa. Por, krizë do të ketë 100 përqind, po flas për sektorin tonë. Gjithashtu, veç kemi fillu t’i shohim edhe shumë lokalesh restorante, kafiteri, kur e sheh shembull që ka punu, ia sheh letrën që jepet me qira. Sa ajo tjetra kërkojnë punëtor, s’ka më asnjë lokal që nuk kërkojnë”, u shpreh ai.

Ju rekomandojmë