Sindikata e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), njoftoi të shtunën se do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Paga në sektorin publik.
Sipas sindikatës, ligji në fjalë është diskriminues për zyrtarët tatimorë dhe stafin profesional.
“Kryesia e sindikatës së Administratës Tatimore, pas analizimit dhe shqyrtimit të Ligjit për Paga në Sektorin Publik, ka vendosur për dërgimin e këtij ligji në Gjykatën kushtetuese, përmes Institucionit të Avokatit të Popullit, ngase konsideron se ligji në fjalë është diskriminues për zyrtarët tatimorë, stafin profesional dhe me gjerë në krahasim me institucionet apo shërbimet tjera të cilat janë të autorizuara për mbledhjen e taksave dhe tatimeve”, thuhet në komunikatën për media.
Sindikata e ATK-së tutje deklaroi se ka vërejtur që me miratimin e këtij ligji cenohet rendë siguria juridike e nëpunësve të sektorit publik duke përfshirë edhe punëtorët e ATK-së ngase “ligji nuk përmban norma të qarta ligjore për rregullimin e pagave të tyre dhe kështu zyrtarët tatimorë mbesin pa zgjidhje të favorshme ligjore”.
“Punëtoret e ATK-së janë kategorizuar në nivelin me të ulët dhe janë diskriminuar maksimalisht bazuar në faktin se shumë pozita tepër të rëndësishme brenda ATK-së, për arsye se ushtrojnë punë dhe detyra specifike (janë specialistë të fushës) nuk janë kategorizuar fare me këtë ligj dhe kërkesat si dhe propozimet e ATK-së edhe pse kanë qenë të shumta dhe plotësisht të bazuara nuk janë plotësuar as për së afërmi, prandaj punëtorët e ATK-së ndjehen tepër të shqetësuar dhe tejet të diskriminuar bazuar në Ligjin PSP, për arsye së nuk kemi pagë të njëjtë për punë të njëjtë dhe ligji si i tillë është kundërthënës në vetvete dhe në kundërshtim me vet parimet e tij”.
“Me LPSP nuk është vlerësuar aspak statusi i zyrtarëve tatimorë, natyra e punës, vëllimi dhe kompleksiteti i punës që ushtrojnë zyrtarët tatimorë të cilët ofrojnë shërbim në çdo vend dhe në çdo kohë në tërë territorin e vendit. Në këtë mënyrë dinjiteti i zyrtarëve tatimorë është nëpërkëmbur maksimalisht dhe institucioni i ATK-së nuk është vlerësuar aspak krahasuar me natyrën e punës, përkatësisht me detyrat dhe përgjegjësitë që ushtrojnë zyrtarët tatimorë gjatë punës së tyre, dhe mbi të gjitha shtojmë faktin se punëtorëve të ATK-së u ndalohet edhe puna sekondare, gjë që kjo është edhe një arsye më e fort që do duhej të kishin një rangim shumë më të lartë në këtë ligj”.
Sindikata e ATK-së konsideron se Ligji për Paga “përveç që është diskriminues dhe ligj i pabarazisë ka edhe të meta tjera shumë të mëdha dhe se tërë procesi i hartimit të këtij ligji është përcjellë me jo transparencë dhe bashkëpunim të vrazhdë dhe jo përfillës nga njerëz të cilët nuk kanë punuar në sektorin publik dhe nuk kanë asnjë ekspertizë në këtë fushë”.
“Si rezultat i kësaj ligji nuk ka rregulluar asgjë dhe nuk ka nivelizuar asgjë, por vetëm ka favorizuar zyrtarët e afërt me qeverinë, këshilltarët politikë, ministritë, deputetët e tjerë në dëm të punëtorëve tjerë dhe atyre të ATK-së”.