Jack Ma, bashkëthemeluesi i “Alibaba Group” e ka filluar karrierën e tij si mësues, dhe sipas tij, kjo është ajo që e bëri atë një biznesmen të njohur botërisht.
“E vetmja gjë që më shndërroi në një biznesmen të suksesshëm është bagazhi im i mësimdhënies,” tha Ma për Forumin Ekonomik Botëror në Tianjin, Kinë.
Ma u refuzua nga 30 vende pune para se të fillonte rrugëtimin e tij në moshën 29-vjeçare së bashku me një grup shokësh.
Në atë kohë, ai nuk dinte asgjë për marketingun, nuk kishte asnjë ide për teknologjinë dhe dilte me humbje me llogaritë e tij financiare.
Po ai ishte në gjendje që të sillte atë çka kishte mësuar nga karriera e tij e hershme si mësues i gjuhës angleze në Kinë: aftësinë për të identifikuar dhe kultivuar talentin.
“Pjesën më të madhe të kohës sime e shpenzoja për të identifikimin e talenteve dhe për t’i trajnuar ata në AliGroup. Krenaria ime më e madhe nuk është modeli ynë i biznesit por hierarkia e talentit tonë, struktura organizative dhe zhvillimi kulturor,” tha Ma.
Ma tha se për pothuajse dy dekada, kompania ka punuar për të zhvilluar atë linjë talentesh që tashmë ai beson se janë aty. Ai tha se beson se kompania ka “gjeneratën e pestë të liderëve”.
Javën e kaluar, 54-vjeçari njoftoi se do të dalë në pension si kryetar i bordit të Alibaba në vitin 2019, duke ia kaluar postin Daniel Zhang.
Zhang, u bashkua me grupin Alibaba në vitin 2007. Ma tha se ka vënë re te Zhang dy talente të cilat atij vetë i mungojnë: mendimi sistematik dhe mendja e matur, të cilat ai tha se do të jenë thelbësore për të çuar përpara një biznes.
Ai shtoi se sot ai dhe bashkë-themeluesit e tij janë portretizuar si udhëheqës të biznesit “shumë të fortë”, por ai beson se suksesi i ardhshëm i kompanisë qëndron në gjeneratën e ardhshme.
“Arsyeja pse ne jemi të suksesshëm sot, nuk është suksesi im, por i ekipit tim”, tha Ma.
“Të sapoardhurit janë më të fortë se ne në njohuritë dhe aftësitë e tyre. Ne do u japim kohë, ndërsa ata do të na japin një sukses të ri”, u shpreh Jack Ma.
m.l/SCAN