Maskat për fytyrën e JM Solution janë shumë të lakmuara në Azi, dhe pikwrisht ato e bënë themeluesin e kompanisë së lojërave GP Club, Kim Jung-woong një miliarder në vetëm dy vjet.
Një tragjedi familjare, çanta video-lojërash dhe një ngritje nga Goldman Sachs – kush do ta kishte menduar se do të ishin këta faktorë që do ta çonin drejtorin ekzekutiv të GP Club, Kim Jung-woong, në klubin e miliarderëve në vetëm dy vjet?!
Pasuria e tij e vlerësuar prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë është ndërtuar pothuajse tërësisht nga maskat për fytyrën. Dhe jo, nuk po flasim për ato që ulin shanset tuaja për të kontraktuar Covid-19, por për linjën e maskave të fytyrës tani kaq të famshme JM Solution.
I vetë-bërë nuk është një fjalë që do të dëgjoni zakonisht kur diskutohet për ata që ndodhen në listat e të pasurve të Koresë së Jugut. Sipas The Korea Times, numri i Koreanëve që trashëgojnë pasuri nga prindërit e tyre është më i lartë se në Amerikë, Japoni apo edhe Kinë – ndoshta kjo është arsyeja pse rritja e pasurisë së Kim Jung-woong e bën një histori kaq të mrekullueshme.
Loja Klubi i Parajsës
Gjithçka filloi kur babai i tij humbi punën në bankë dhe lëroi paratë e familjes në një përpjekje (të dështuar) për t’u futur në politikë. Jo shumë kohë më vonë, ai iu drejtua punëve të ndërtimit për të ushqyer familjen e tij. Si rezultat i situatës së tyre të pasigurt, Kim mban mend se kishte ngrënë elb kur ishte fëmijë, sepse edhe orizi ishte jashtë mundësive të tyre. Babai i tij vdiq kur ishte vetëm 15 vjeç, dhe në atë moment Kim ndjeu presion për të filluar të fitonte paratë e tij.
Pasi filloi një punë me kohë të pjesshme në një dyqan video-lojërash, ai u frymëzua që të fillonte të tijën. Duke përdorur rreth 4,000 dollarë amerikanë të kursimeve nga puna dhe duke marrë hua 3,000 dollarë të tjerë nga familja, ai filloi GP Club, i njohur ndryshe si Parajsa e Lojërave.
Të thuash se ai pati sukses është një nënvlerësim. Ai gradualisht e zgjeroi ofertën e tij të produktit për të përfshirë çanta për PlayStations, sepse vuri re lojtarët e tij që mbanin në mënyrë të sikletshme konsolet e tyre nën krahë. Ai shkoi në Kinë për të kërkuar prodhues, fillimi ky, i shumë udhëtimeve që do të vinin dhe vuri re në atë kohë se gjithçka e Koresë së Jugut ishte një hit në Kinë: K-pop, K-dramë, K-bukuri. Ai filloi të furnizonte Kinën me produkte koreane bukurie, por ndërsa shitjet u rritën, markat e bukurisë e përjashtuan atë, duke shitur në vend të kësaj direkt te konsumatorët.
Rruga drejt një mrekullie
Në vend që të sulmonte, ai e ktheu sfidën në një mundësi dhe vendosi të bënte linjën e tij të kozmetikës, JM Solution. Udhëtimi i tij nga këtu nuk ishte aspak i lehtë. Një përplasje politike bëri që blerësit kinezë të shmangin produktet koreane për një kohë dhe udhëtimet në Korenë e Jugut për këtë arsye. Por Kim nuk u lëkund. Në vend të kësaj, ai investoi edhe më shumë, këtë herë në prodhimin e një linje të re të maskave të fytyrës. Ai i dërgoi produktet te ndikuesit kinezë, të cilët nga ana e tyre i postuan në Weibo dhe TikTok dhe para se ta dinte ai, infeluencerat kinezë (daigous/njerëzit që blejnë mallra luksoze me shumicë jashtë Kinës dhe i sjellin përsëri për t’ua shitur miqve) po blinin arka për të rishitur.
Dhe ndërsa tregu i maskave të fytyrës mund të duket i ngopur, në sajë të kombinimeve origjinale të përbërësve të Kim-it, siç është Honey Luminous Royal Propolis Maska ose Active Jellyfish Vital Maska dhe natyrisht më i shituri: Active Pink Snail Brightening Maska, Goldman Sachs bleu 5% të kompanisë së tij.
Ende duke zotëruar afërsisht 95%, Kim nuk është larguar kurrë nga vizioni i tij modest: “ëndrra ime është të jem në gjendje të kaloj pjesën më të mirë të jetës i qetë me familjen time”. (South China Morning Post)
Edel Strazimiri / SCAN