ATK për 23 vite inkasoj 6 miliard e 506 milion euro tatime

Administrata Tatimore e Kosovës sot shënon 23 vjetorin e themelimit të saj, përvjetor ky i cili institucionin e gjen në pozicionin më të mirë që ka pasur ndonjëherë. Faktorët të cilët kanë ndikuar në rritjen e progresit të ATK-së, janë digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, profesionalizimi i stafit, transparenca, llogaridhënia, reformat në mbledhjen e borxheve, rimbursimet tatimore, rritja e partneritetet me qytetarët, reformat në strukturimin e stafit, thuhet në njoftimin zyrtarë të ATK-së.

“Si rezultat i një përkushtimi të vazhdueshëm nga stafi dhe mbështetja nga institucionet ndërkombëtare, ATK ka arritur që nga viti 2000 deri në dhjetor 2022 të inkasoj gjithsejtë 6 miliard e 506 milion euro tatime, dhe 2 miliard e 425 milion euro kontribute pensionale, gjithsej mbledhje e të hyrave prej 8 miliard e 931 milion euro, apo afër 9 miliard euro të mbledhura tatime dhe kontribute pensionale”, thuhet në njoftim.

 Po ashtu sipas të dhënave të ATK-së vetëm gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 janë inkasuar 723.9 milion euro tatime, që janë cilësuar të hyra rekorde .

“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje  për 126.2 milion euro apo 21.1 %, ndërsa në krahasim me planin e rishikuar kemi rritje për 12.3 milion euro apo 1.7%. Kontributet pensionale janë në shumën 237.5 milion euro. Pra totali tatime dhe kontribute të mbledhura janë 961.4 milion euro”, thuhet në njoftim.

Të gjitha këto të arritura, sipas njoftimit,  nuk do të ishin të mundura pa bashkëpunimin e ndërsjellë edhe me institucionet e tjera si Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Doganat, Policinë e Kosovës, ARBK, Trust-i, Bankat, Odat Ekonomike, Shoqatat e kontabilitetit, e Donatorët.

Administrata Tatimore e Kosovës gjithashtu falënderon të gjithë tatimpaguesit që për 23 vite kanë kontribuar në rritjen e buxhetit të shtetit, në të njëjtën kohë iu bënë thirrje që t’i kryejnë obligimet tatimore me kohë dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e zhvillimit të shtetit tonë.

Ju rekomandojmë