Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka bërë thirrje për përfundimin pa vonesa të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke e cilësuar këtë si një hap vendimtar drejt modernizimit të sistemit financiar dhe integrimit më të plotë me tregun evropian.
Në komunikatën e publikuar, EIC ka mirëpritur angazhimin e institucioneve vendore dhe të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), si dhe bashkëpunimin me Komisionin Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset – përfshirë pagesa më të lira, më të sigurta dhe më të shpejta, si dhe qasje më të lehtë në tregjet ndërkombëtare.
“Sipas vlerësimeve të fundit, vonesat në këtë proces i kanë kushtuar ekonomisë së Kosovës rreth 29 milionë euro vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, ndërsa përfitimet vjetore të mundshme nga anëtarësimi në SEPA kapin vlerën e 55 milionë eurove,” thuhet në njoftimin e Këshillit.
EIC vlerëson punën teknike dhe rregullative të realizuar nga BQK, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian, duke theksuar se procesi ka avancuar ndjeshëm dhe është afër përmbylljes.
Këshilli apelon që shqyrtimi i ligjeve përkatëse nga Gjykata Kushtetuese të mundësojë vazhdimin e reformave “me kohë dhe në përputhje me interesin publik”.
Në fund të komunikatës, EIC nënvizon se Kosova ka mundësi reale të mos mbetet pas vendeve të rajonit dhe të përfitojë plotësisht nga rrjeti unik i pagesave evropiane.
“Anëtarësimi në SEPA do të modernizojë infrastrukturën financiare, do të ulë kostot për bizneset dhe qytetarët dhe do ta bëjë ekonominë tonë më tërheqëse për investime të reja,” thuhet ndër të tjera në reagim.
Këshilli i Investitorëve Evropianë ka rikonfirmuar përkushtimin për të informuar publikun mbi rëndësinë dhe përfitimet që sjell përfshirja e Kosovës në SEPA.


