Reklama

Vazhdon rënia e ekonomisë së Rusisë, rubla zhvlerësohet në nivel rekord

Valuta e Rusisë ka ra në nivel rekord, shtatë vendet më të industrializuara vendosen sanksione të ashpra financiare ndaj kësaj të fundit, për shkak të invazionit ushtarak të Ukrainës.

Rubla aktualisht po tregtohet me 114 kundrejt dollarit amerikan, krahasuar me 83.7 që ishte gjatë javës së kaluar.

Monedha ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia ka nisur të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.

Në fundjavë, G7 ka bërë të ditur se do të sanksionojë Bankën Qendrore të Rusisë dhe do t’i përjashtojë disa nga institucionet e saj më të mëdha financiare nga Sistemi Botëror Bankar, i njohur si SWIFT.

Sanksionet e pengojnë aftësinë e Bankës Qendrore të Rusisë për të mbrojtur rublën duke i shitur rezervat e saj në monedhat e G7-së.

Njoftimi për sanksione ka ngjallur frikë te rusët, të cilët janë parë në radhë të gjata në fundjavë, duke pritur për të tërhequr para dhe për t’i shkëmbyer rublat.

Rezervat e Rusisë kanë arritur në më shumë se 600 miliardë dollarë në shkurt. Banka Qendrore thuhet se ka shpenzuar rreth 5 miliardë dollarë të rezervave të saj për të mbrojtur monedhën më 24 shkurt, në ditën kur Rusia ka pushtuar Ukrainën.

Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë me urdhër të presidentit Vladimir Putin. Ai ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak”, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga Ukraina.

Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës. Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore. Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë