Reklama

Sot përfundon afati ligjor për deklarimin e pasurisë

Sot është dita e fundit për përmbushjen e obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë.

Këtij obligimi ligjor ende nuk i janë përgjigjur edhe rreth 550 zyrtarë publik.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia Kundër Korrupsionit.

AKK ju bën thirrje zyrtarëve publik që tashmë nuk e kanë kryer obligimin ligjor, ta shfrytëzojnë kohën e mbetur.

Formulari i deklarimit mund të dorëzohet fizikisht në zyrat e AKK -së gjatë orarit të rregullt të punës ose i skanuar dhe nënshkruar nëpërmjet adresës elektronike [email protected].

Zyrtarët publik duhet ta deklarojnë gjendjen e pasurisë së tyre dhe anëtarëve e familjes së tyre, informatat rreth pasurisë, të ardhurave të tyre.

Këto deklarime përfshijnë palujtshmëritë, pasurinë e luajtshme në vlerë mbi tre mijë euro, zotërimi i aksioneve në shoqëri tregtare si dhe letra me vlerë.

Gjuthashtu, edhe paratë e kursyera në bankë dhe në institucione tjera financiare, detyrimet financiare ndaj personave fizik dhe juridik duhet të deklarohen.

Përveç këtyre, çdo e hyrë vjetore duhet të deklarohet, si ato brenda vendit ashtu edhe ato jashtë vendit.

AKK rikujton zyrtarët e lartë publik, që mos-deklarimi paraqet vepër penale dhe e detyron AKK-në të veprojë në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal të Kosovës.

Afati ligjor për deklarim të rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2021 është 1 deri 31 mars 2022. /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë