Energjia, tregtia, prodhimi, sektori bankar dhe tregjet e Europës mund të ndikohen nëse Moska pushton Ukrainën. Reduktimi i furnizimit të Europës me gaz është karta kryesore ekonomike e Moskës nëse perëndimi vendos sanksione më të ashpra në rast të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Por, vulnerabiliteti i BE-së ndaj kundërmasave të Kremlinit shkon përtej energjisë.
Politikëbërësit druhen se blloku europian është më pak i përgatitur se Moska, ku strategjia “Fortesa e Rusisë” e Presidentit Vladimir Putin synon të ndihmojë vendin që të përballojë çdo sanksion të rëndë.
Që nga furnitorët e produkteve të teknologjisë dhe huadhënësit e deri tek eksportuesit dhe prodhuesit e mallrave që varen nga lëndët e para, ndërprerja e lidhjeve tregtare do të rriste presionin e inflacionit dhe do të frenonte aktivitetin e shumë bizneseve europiane.
“Retë gjeopolitike që po mbulojnë Europën, nëse do të materializoheshin, sigurisht që do të kishin ndikim te çmimet e energjisë… por do të impaktonin gjithashtu edhe rritjen ekonomike, si rezultat i reduktimit të të ardhurave dhe ndoshta si rezultat i rënies së konsumit dhe pezullimit të investimeve,” tha javën e kaluar presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde.
Varësia nga energjia
Rusia është furnizuesi më i madh i energjisë për BE-në. Rreth 40 për qind e importeve të gazit natyror të bllokut europian dhe gati një e treta e importeve të naftës së papërpunuar vijnë nga Rusia.
SHBA, një eksportues neto i energjisë, po diskuton me BE-në mundësinë e sigurimit të furnizimeve alternative të energjisë.
Rezervat e gazit kanë rënë nën nivelet historike dhe çmimet janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke i dhënë Rusisë një avantazh më të madh. “E vërteta është se Europa nuk mund të gjejë zëvendësues për gazin rus,” tha Ronald Smith, analist i naftës dhe gazit në BCS Global Markets.
Në rast konflikti, çmimet e gazit natyror “mund të arrijnë lehtësisht pikun prej 180 euro për MWh”, tha Andrew Kenningham, shefi ekonomik për Europën në Capital Economics. “Racionimi i energjisë elektrike mund ta sjellë ekonominë drejt një recesioni,” shtoi ai.
BE-së do t’i duhet të marrë “vendime të vështira dhe të kushtueshme” për të mbajtur në kontroll kërkesën nga industria dhe konsumatorët, në mënyrë që t’i mbijetojë ndërprerjeve të furnizimit me gaz deri në verë, sipas institutit të studimit Bruegel në Bruksel. Për më tepër, vende të tilla si Gjermania kanë mundësi të kufizuara për të kaluar te burime të tjera të energjisë në planin afatshkurtër, pasi kanë hequr dorë nga energjia bërthamore dhe qymyri.
Furnizimet me lëndë të para janë në rrezik
Rusia është një eksportues kryesor i mallrave dhe përfshihet në listën e Komisionit Europian të furnizuesve të lëndëve të para kritike.
Rusia përmbush rreth 40 për qind të ofertës globale për paladium, i cili nevojitet te konvertuesit katalitikë që përdoren tek automjetet për të kufizuar emetimet e dëmshme. Gjithashtu, ajo përmbush rreth 30 për qind të ofertës globale të titanit, i cili është thelbësor për industrinë e hapësirës ajrore.
Kompania europiane Airbus, e cila furnizohet nga Rusia për gati gjysmën e nevojës së saj për titan, bashkë me rivalin amerikan Boeing, përdorin sasi të mëdha të këtij metali për prodhimin e avionëve. Airbus ka thënë se do të “veprojë me rigorozitet në përputhje me çdo sanksion dhe rregullore për kontrollin e eksporteve”.
Zyrtarët e BE-së kanë diskutuar gjithashtu vendosjen e kontrolleve të ashpra për eksportet që lidhen me teknologjinë e perëndimit.
Warren Patterson, kreu i strategjisë së mallrave në ING, tha se sanksionet e vendosura ndaj bankave dhe industrisë ruse ka të ngjarë të kenë një ndikim të madh te mallrat ruse, i cili mund të përhapet edhe te tregjet ku vendi është një eksportues kryesor, duke përfshirë aluminin, nikelin, bakrin dhe platinin. / Financial Times