Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN
Regjimi i kursimit ka qenë një ndër politikat e rëndësishme të aplikuara gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar në Shqipëri.
Regjimi i kursimit ishte një metodë e drejtimit me plan të ekonomisë socialiste që synonte arritjen e rezultateve ekonomiko-shoqërore sa më të mëdha me shpenzime sa më të pakta të punës së gjallë dhe të punës së materializuar. Regjimi i rreptë i kursimit konsiderohej si një faktor i rëndësishëm për forcimin e pavarësisë ekonomike.
Megjithatë me kalimin e viteve, për shkak të vështirësive ekonomike me të cilat u përball vendi, parimet e kursimit do të ktheheshin në detyrime racionimi, duke prodhuar një efekt të kundërt nga synimi; mungesë cilësie dhe shpërdorime të mëdha. Por cilat ishin disa prej ligjeve të rëndësishme të kursimit që prekën fillimisht ndërmarrjet e institucionet shtetërore?
Kursimi i karburantit
Në vitin 1983, Këshilli i Ministrave do të miratonte një vendim të posaçëm që në thelb synonte rritjen e frytshmërisë së transportit të mallrave me hekurudhë dhe kursimin e karburanteve.
Vendimi përcaktonte ndalimin e transportit të mallrave dhe lëvizjen e kamionëve në rrugë paralele me transportin hekurudhor dhe detar.
Po ashtu vendimi përcaktonte që organet e kontrollit të bllokonin të gjitha ato automjete që kishin të meta mekanike që kishin si efekt konsum të tepërt karburanti.
Po ashtu, udhëzimi përcaktonte përdorimin e trenave të udhëtarëve për transportin e materialeve që ishin në sasi të vogla.
Nga ana tjetër, për zonat me aktivitet të lartë ekonomik parashikohej që të përdoreshin mjete alternative për transportin e mallrave apo produkteve. Në vend të automjeteve që përdoreshin deri në atë periudhë, vendimi përcaktonte ndërtimin e dekovilëve e të teleferikëve për qëllime të transportit të mallrave e materialeve të ndryshme që i nevojiteshin industrisë së rëndë e bujqësisë.
Më herët, në vitin 1979 ishte miratuar edhe vendimi tjetër që parashikonte marrjen e disa masave të ngutshme për kursimin e karburanteve që detyronte Universitetin e Tiranës dhe ministrinë e Komunikacionit që të përcaktonin llojet e pajisjeve për kursimin e karburanteve që duhej të vendoseshin menjëherë në mjetet me benzine (kamionë, kamionçinë, vetura etj.)
Po ashtu, vendimi përcaktonte detyrimin që të pakësohej me 20% normativa mujore e harxhimit të benzinës për autovetura.
Për ministritë dhe institucionet, vendimi përcaktonte se normativë e konsumit të karburantit duke filluar nga janari i vitit 1980 do të planifikohej dhe llogaritej për çdo mjet për njësi volum pune dhe jo në kilometra të përshkuara ose në orë.
Kursimi i energjisë elektrike
Në vitin 1973 do të merreshin masa për kursimin e energjisë elektrike. Vendimi vjen në një kohë kur sapo kishte përfunduar procesi i elektrifikimit të vendit. Ai përcaktonte se duke filluar nga janari i vitit 1974, çdo ndërmarrje duhej të merrte masa urgjente që të ndalohej menjëherë dhe kategorikisht ngrohja me energji elektrike ne çdo ndërmarrje, institucione, kooperativa bujqësore dhe organizata shoqërore.
Po ashtu, ndalohej përdorimi i energjisë elektrike për qëllime zbukurimi për reklama dhe parulla në ndërmarrje ekonomike e kooperativa ndërsa në rrugët dhe sheshet e qytetit energjia elektrike për qëllimet e mësipërme duhej të pakësohej në masën 50 %.
Vetëm në ditët e festave zyrtare ndriçimi për zbukurim mund të bëhej më i gjerë.
Përjashtim nga ky rregull bënin vetëm Tirana, Durrësi e Pogradeci që kishin masa më të diferencuara për shkak të rëndësisë dhe u lejohej që të kishin një ndriçim më të zgjatur e më të madh.
Në stallat e ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore parashikohej detyrimi që të ndërpritej ndriçimi pas orarit të punës, duke lënë vetëm një ndriçim minimal të domosdoshëm.
Po ashtu, ndalohej përdorimi i energjisë elektrike për gatim në rastet kur tejkalohej kuota e planifikuar e energjisë elektrike .
Vendimi përcaktonte gjithashtu uljen e konsumit të energjisë elektrike për entet, institucionet e zyrat në masën 30% nëpërmjet kufizimit të ndriçimit dhe ndalimit të ngrohjes me energji elektrike.
Kursimi i energjisë elektrike për nevoja shtëpiake për çdo qytetar konsiderohej në vendim një detyrë patriotike.
Kursimi i ujit
Në vitin 1978 do të miratohej vendim i Këshillit të Ministrave për përdorimin e ujit të pijshëm me një regjim të rreptë kursimi.
Referuar këtij vendimi aparatet lokale duhej të kryenin një studim për nevojat e ndërmarrjeve për ujë dhe të merrnin masa për furnizimin normal të popullsisë. Po ashtu, për ndërmarrjet parashikohej që të përdorej ujë industrial, pra që nuk përdorej për konsumin e popullatës.
Në vitin 1980 ndërmarrjet do të detyroheshin që të zëvendësonin ujin e pijshëm me ujë që vinte nga puset hidrogjeologjike, rezervuaret, puset brenda ndërmarrjeve etj.
Vendimi përcaktonte ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të ujit të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit për ujitjen e kopshteve vetjake dhe për larjen e autoveturave.
Vendimi shoqërohej nga detyrimi për ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore që deri në vitin 1980 të prodhonte 40 mijë matës uji që do të vendoseshin në qytete.
Me qëllim kursimin e ujit të pijshëm, vendimi përcaktonte normat e përdorimit të ujit të pijshëm ku për përdoruesit familjarë norma ishte 100 litra në ditë për frymë. Për çdo tejkalim të normave aplikoheshin çmime më të larta e të diferencuara që në thelb synonin të dekurajonin kalimin e normës.
Në funksion të këtij qëllimi, në çdo ndërmarrje komunale të vendit do të krijohej pozicioni i punës së Inspektorit të Posaçëm që kishte të drejtën e ushtrimit të kontrollit për kursimin e ujit të pijshëm në çdo ndërmarrje, institucion, kooperativë apo repart ushtarak. /SCAN/