Përveç pagës së majme që marrin deputetët e Kuvendit të Kosovës në krahasim me pagën minimale në nivel vendi, ata gëzojnë edhe përfitime tjera financiare derisa ushtrojnë mandatin e deputetit.
Në vazhdimësi deputetët janë kritikuar për beneficione shtësë e shpenzime të tjera nga ana e monitoruesve, shoqërisë civile dhe mediave.
Por sipas ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, ata marrin pagën bazë, pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit, kompensimi për pjesëmarrje në seanca dhe në takime të komisioneve, kompensim për funksionet parlamentare, kompensimi i shpenzimeve mujore, pensionet suplementare dhe të drejta tjera të përcaktuara më këtë ligj.
Me gjithë përfitimet financiare që ata gëzojnë, shpesh-herë në media janë publikuar shifra të larta të shpenzimeve që bëjnë deputetët e Kosovës, duke përmendur këtu shpenzime të larta të karburantit, e po ashtu edhe shpenzime tjera.
Së fundmi, në media janë publikuar të dhënat për disa deputetë, ku për gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, kanë bërë shpenzime të mëdha të karburantit, për të shkuar në seancë dhe në komisione.
Për dy muaj, njëri nga deputetët ka shpenzuar 870 euro për karburante. Ndër deputetët që kanë shpenzuar më së shumti janë: Pal Lekaj, Yllëza Hoti, Hajdar Beqa, Armend Zemaj, Gramos Agusholli, Agon Batusha, Duda Balje, Albana Bytyqi, Artan Abrashi, Fatmire Kollcaku, Haxhi Avdyli dhe Mërgim Lushtaku.
Mandati i një deputeti zgjatë katër vite. /Telegrafi/