Nisja e bashkimit të tregjeve energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës është konsideruar si një hap i rëndësishëm nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Teksa mirëpret zhvillimin e ankandit të parë të përbashkët në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, që u zhvillua në datën 31 janar, Sekretariati thotë se nisja e tregut të ditës në avancë në Kosovë ofron një sinjal transparent të çmimeve për investime në energjinë e rinovueshme.
Gjithsesi, likuiditeti në bursë, që lidhet me numrin e kompanive të anëtarësuar dhe volumin e energjisë të tregtuar për periudhën afatshkurtër mbetet një sfidë. Ndërkaq, teksa citon autoritetin rregullator kombëtar të Kosovës (ZRRE), Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vlerëson se më shumë se 1000 gWh në vit (rreth 15% e konsumit total të energjisë elektrike në Kosovë) mund të tregtohen në tregun e ditës në avancë, që operohet nga ALPEX.
Ndërkohë që, për të arritur këtë qëllim do të nevojiten stimuj dhe ndërhyrje të mëtejshme rregullatore. Sipas Sekretariatit, ky hap vendimtar përpara për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë rajonin nënvizon rëndësinë e transpozimit dhe zbatimit të plotë të Paketës së Integrimit të Energjisë Elektrike të miratuar në Komunitetin e Energjisë. Kjo, duke qenë se, integrimi i mëtejshëm i Palëve Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë në tregun e ditës në avancë dhe atë të së njëjtës ditë varen nga ky proces. /Scan tv/