Reklama

Sejdiu: Kosova po përballet me varfëri energjetike, pasiguri financiare dhe barrë të lartë borxhesh

Analisti Dardan Sejdiu ka reaguar përmes një statusi publik, duke paraqitur atë që ai e quan “aritmetika e vërtetë” e gjendjes sociale dhe ekonomike në Kosovë në fillim të vitit 2026. Sipas tij, shifrat flasin për një realitet të rëndë për qytetarët, në kundërshtim me diskursin zyrtar për begati dhe zhvillim.

Sejdiu thekson se në Kosovë rreth 90 mijë familje hyjnë në sezonin e dimrit duke pritur subvencione për faturat e energjisë elektrike, duke nënvizuar se mbi 25 për qind e ekonomive familjare varen nga ndihmat dimërore. Sipas tij, kjo është tregues i qartë i varfërisë energjetike në vend.

Tutje, Sejdiu shkruan se 21.6 për qind e familjeve nuk i ngrohin dhomat e shtëpisë për shkak të pamundësisë ekonomike, ndërsa 42.2 për qind e qytetarëve e konsiderojnë mishin luks dhe nuk kanë mundësi ta konsumojnë më shumë se tri herë në javë.

Në reagimin e tij, Dardan Sejdiu citon edhe të dhëna që tregojnë se 48 për qind e qytetarëve nuk janë në gjendje ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 200 eurosh, çka, sipas tij, e vendos gati gjysmën e popullsisë në rrezik serioz financiar në rast urgjencash.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Sejdiu është edhe niveli i lartë i borxheve, ku sipas tij 44.6 për qind e familjeve janë të ngarkuara me kredi bankare, të cilat ai i përshkruan si barrë që ua vështirëson atyre jetesën e përditshme.

Në statusin e tij, Sejdiu vë në pah edhe pabarazinë gjinore në punë, duke theksuar se gratë në Kosovë kryejnë mesatarisht 6.2 orë punë të papaguar në ditë nëpër shtëpi, duke mbajtur funksionale ekonominë familjare pa mbështetje institucionale.

Sipas tij, përdorimi i termit “begati” nga qeveria nuk përkon me realitetin në terren dhe përfaqëson, siç shprehet ai, një shkëputje të thellë nga jeta e përditshme e qytetarëve. Ai kritikon institucionet për fokusin në të ardhurat dhe votën e diasporës, duke shtuar se shteti ka dështuar të krijojë kushte për një jetë më të mirë brenda vendit.

“Nuk jemi duke u zhvilluar, por duke u shuar ngadalë”, përfundon Sejdiu, duke nënvizuar se për shumë qytetarë emigrimi po shihet gjithnjë e më shumë si alternativa e vetme. /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë