Mbi 17 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit drekat e darkat e presidentes së vendit Vjosa Osmani dhe kabinetit të saj, që nga prilli i vitit 2021 deri më tani.
Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar faturat e drekave dhe darkave zyrtare të presidentes Osmani dhe stafit të saj i cili përbëhet nga 10 persona, një shef stafi, një zëvendësshef stafi si dhe 8 këshilltarë.
Përgjatë këtyre 2 vite e gjysmë sa ka qenë në krye të institucionit më të lartë të vendit, Vjosa Osmani vet e 11-ta ka shpenzuar 17,025.39 euro në dreka dhe darka zyrtare.
Në faturat që i ka siguruar KALLXO.com, shihet se në këto dreka nuk ka munguar vera e alkooli, mirëpo jo në sasi e çmim të lartë.
Në vitin 2021, presidentja Osmani kishte shpenzuar dukshëm më pak sesa paraardhësi i saj, Hashim Thaçi në dreka dhe darka zyrtare.
Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e Kosovës më 4 prill të vitit 2021, nën presidencën e saj me buxhet të shtetit janë organizuar vetëm 7 dreka/darka zyrtare në vitin 2021.
Në vitin 2021, Osmani me kabinetin e saj kishin shpenzuar vetëm 2,714.50 euro në dreka dhe darka zyrtare.
Darka më e shtrenjtë në vitin 2021, kap vlerën 754 euro, sipas presidencës kjo darkë ishte shtruar për senatoren e Iowas, Joni Ernst, në këtë darkë kishte qenë i pranishëm kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas faturës, në këtë drekë ishin ngrënë 16 biftekë, të cilët kishin kushtuar 200 euro si dhe ishin pirë 8 vena vendore, të cilat kishin kushtuar po ashtu 200 euro.
Në vitin 2022, presidentja Osmani dhe kabineti i saj shpenzuan më shumë para në dreka dhe darka zyrtare.
8,692 euro ishte totali i 22 drekave dhe darkave zyrtare për vitin 2022.
Dreka më e shtrenjtë ishte ajo e shtruar për presidentin e Letonisë Egils Levits, i cili kishte vizituar Kosovën më 22 prill 2022. Ushqimet e ngrëna në këtë faturë janë mbajtur sekret.
Për vitin 2023, deri më tani nga presidentja Osmani dhe kabineti i saj janë shpenzuar 5,618 euro në 15 dreka dhe darka zyrtare.
Fatura më e lartë është në vlerë 2,300 euro dhe është shtuar për Policinë e Kosovës gjatë ndërrimit të motomoteve në pikën kufitare në Bërnjak.
Sipas faturës në këtë drekë ishin porositur 230 porcione ushqim, por pa u treguar përmbajtja e detajuar./buletiniekonomik/