Tash e një kohë të gjatë, ose më konkretisht që kur ka filluar dimri me ditët dukshëm më të ftohta, në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe eliminimin e vërejtshëm të reduktimeve të ashpra, pa dyshim ka ndikuar energjia elektrike, që Kosova, thuaja përditë e ka marrë, qoftë si kthim borxhi, qoftë si huazim nga Shqipëria. Dje, siç e ka njoftuar Buletinin Ekonomik, Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, nga KESH-i janë marrë diku rreth 1.100 megavatë dhe kjo sasi, mbase edhe më shumë do të huazohet edhe sot dhe ditët në vazhdim. Sot (15 shkurt 2023) në Bursën hungareze të energjisë (HUPXX) një megavat e kishte çmimin 165,39 euro, ndërsa dje megavati në këtë treg ndërkombëtar ka kushtuar mbi 160 euro.
Sot, 15 shkurt 2023, kur kaloi gjysma e shkurtit, që di të jetë i acartë dhe kohë kjo kur në vitin e kaluar Kosova përjetonte krizë të madhe elektroenergjetike si pasojë e mungesës së rrymës, situata elektroenergjetike në republikën tonë duket goxha stabile dhe përgjason me një gjendje thuaja stabile. Thënë ndryshe, nuk vërehet mungesë e rrymës në shumicën absolute të rajoneve të Kosovës, nuk ka reduktime të shpallura as zyrtarisht dhe në të shumtën e orëve familjet kosovare kanë rrymë në shtëpitë e tyre edhe përkundër rritjes goxha të madhe të konsumit vendor të rrymës. Kjo gjendje relativisht stabile sa i përket furnizimit me energji elektrike, gjithsesi është rrjedhojë e prodhimit kontinuel të pandërprerë disa javor të katër njësive të termocentraleve të Kosovës (dy blloqet e Kosova B, B1 e B2, dhe dy të Kosovës A, A3 dhe A4), por edhe prodhimit goxha imponues të kapaciteteve ekzistuese të energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).
Sipas të dhënave, gjatë këtyre ditëve minihidrocentralet e Kosovës dhe parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë, kanë prodhuar mesatarisht rreth 100 megavatë-orë energji elektrike (herë më shumë e herë më pak), dhe kjo sasi po dëshmohet shumë e mirëseardhur për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Domosdo, një ndikim të dukshëm në gjendjen aktuale elektroenergjetike të Kosovës e ka edhe moti relativisht i mirë për këtë kohë, dhe që zgjati pothuaj gjatë tërë vjeshtës së vonë dhe periudhës së deritashme të dimrit të sivjetshëm. Por, duhet thënë se tash e një kohë të gjatë, ose më konkretisht qëkur ka filluar dimri me ditët dukshëm më të ftohta, në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe eliminimin e vërejtshëm të reduktimeve të ashpra, pa dyshim ka ndikuar energjia elektrike që Kosova thuaja përditë, e ka marrë,qoftë si kthim borxhi, qoftë si huazim nga Shqipëria.
Dhe, po del që të reshurat e dendura të shirave gjatë gjysmës së dytë të nëntorit dhe të pjesës së parë të dhjetorit të vitit të kaluar, ishin me fat për sistemet elektroenergjetike të Shqipërisë dhe të Kosovës. U mbushën shpejt në këtë periudhë akumulimet e zbrazëta thuaja të hidrocentraleve të mëdha të Shqipërisë (ato të Kaskadës së Drinit-Hidrocentralit të Fierzës, Komanit dhe të Vaut të Dejës, por edhe të shumë hidrocentraleve të tjera më të vogla dhe dhjetëra minihidrocentalevetë tjera anembanë Shqipërisë). Në këtë mënyrë u krijuan kushtet optimale për të prodhuar me fuqi të plotë të gjitha këto hidrokapacitete, dhe sasia e prodhuar pas mbushjes së akumulimeve me ujë, jo vetëm që mjaftoi për të furnizuar pa reduktime konsumin e Shqipërisë, por pati energji goxha në sasi të madhe për të eksportuar dhe për t’ia kthyer borxhin e rrymës Kosovës, i cili borxh ishte akumuluar gjatë muajve të verës kur Kosova kishte mjaft energji për nevojat e veta, ndërsa tepricat ia huazonte Shqipërisë, që gjatë verës ndiente pasojat e mungesës së ujërave të bollshme.
Sipas të dhënave zyrtare të KEK-ut, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës së hershme, Kosova kishte deponuar një sasi jo të vogël të energjisë elektrike në KESH, ose diku rreth 150 mijë megavatë-orë. Dhe ky deponim u dëshmua në këtë dimër si tejet efektiv, ndërsa kthimi i borxhit nga Shqipëria po del të jetë më se i mirëseardhur për të funksionalizuar sa më efektshëm sistemin elektroenergjetik të Kosovës, duke e bërë të mundshme që t’i iket maksimalisht importeve të shtrenjta të rrymës gjatë këtyre ditëve me konsum të rritur.
Në këtë mënyrë, Kosova, praktikisht, qëkur ka nisur të ftohet moti, që i bie që nga fundi i nëntorit dhe gjatë tërë dhjetorit të vitit që sapo e përcollëm dhe në janar dhe në të gjatha ditët e deritashme të shkurtit të sivjetshëm (2023-tës, pra), ka marrë në formë kthimi të borxhit, ose huazimit, mesatarisht 150-200 megavatë-orë, ose brenda 24 orëve nga 1800 deri në 2000 mijë megavatë orë. Ka pasur ditë, siç njoftojnë zyrtarët e KEK-ut, që Kosova ka marrë nga Shqipëria gjatë 24 orëve edhe rreth 4.000 megavatë energji elektrike.
Dje, siç e ka njoftuar Buletinin Ekonomik, Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, nga KESH-i janë marrë diku rreth 1.100 megavatë dhe kjo sasi, mbase edhe më shumë do të huazohet edhe sot dhe ditët në vazhdim. Duhet ritheksuar se rryma nga Shqipëria ishte ndihmesë e madhe për KEK-un, i cili me prodhimin goxha stabil të termocentraleve të stërvjetëruara dhe pa ndonjë ndërprerje për shkaqe teknike dhe me prodhimin tashmë të shtuar edhe nga impiantet e energjisë së rinovueshme të Kosovës, ka arritur që t’i ofrojë KEDS-it, në të shumtën e kohës dhe të ditëve të deritashme të këtij dimri, thuaja sasinë e nevojshme për nevojat e konsumit të rritur. Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka apostrofuar sivjet në disa raste faktin se Kosova po e shfrytëzon rrymën e deponuar në Shqipëri gjatë këtyre ditëve me konsum evident të rritur.
“Gjatë kësaj periudhe jemi duke e shfrytëzuar edhe energjinë e deponuar në Shqipëri. Shfrytëzimi i energjisë nga Shqipëria ka shkuar shumë mirë gjatë javëve të kaluara”, tha ministrja.
Sipas të dhënave të zyrtarëve të KEDS-it, tani konsumi mesatar gjatë ditës në Kosovë është diku te 1.200 megavatëshi, ndërsa në orët e pikut, shpenzimi i rrymës në vendin tonë në ditë të caktuara, ka shkuar edhe në 1. 300 megavatë-orë. Pak a shumë, kjo është edhe sot gjendja elektroenergjetike në Kosovë.
Me fjalë të tjera, me këtë sasi të rrymës që në këtë mënyrë e ka në dispozicion KEDS-i, kompania për distribuimin e energjisë elektrike në vend, tash për tash dhe me këtë nivel të konsumit, fare pak ka nevojë për të importuar energji elektrike. Tani, është një lehtësim goxha i madh edhe ulja e çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Energjia elektrike në bursën hungareze, prej nga e importon më së shumti rrymën Kosova, që nga vera e vitit të kaluar e në muajt në vazhdim, e ka pasur çmimin ndërmjet 100 dhe 200 euro për megavatë, ndërsa ka pasur ditë që ky çmim kishte rënë edhe nën 100 euro për megavat. Sot (15 shkurt 2023) një megavatë në këtë bursë e ka pasur çmimin 165,39 euro, ndërsa dje megavati në këtë treg ndërkombëtar ka kushtuar mbi 160 euro. /Buletini Ekonomik/