Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që t’ua ndajë nga 100 euro disa kategorive të caktuara në Kosovë. Pensionistët, punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe studentët do të përfitojnë nga 100 euro, ndërsa për familjet në nevojë do të shpërndahen 40 mijë pako ushqimore.
Ky vendim i qeverisë së Kosovës është kritikuar shumë nga opozita dhe shoqëria civile, por ky vendim vjen në një kohë të prag-krizës për qeverinë e Kosovës, shkruan lajmi.net.
Lajmi.net më poshtë ka radhitur disa nga problemet që qeveria Kurti ka tentuar t’i rregullojë duke ndarë nga 100 euro për kategoritë e lartcekura.
Shmangia e një tërheqje tjetër nga Trusti
Tash e disa kohë, qytetarët e Kosovës kanë kërkuar që qeveria e Kosovës të lejojë edhe një tërheqje tjetër nga Trusti. Këtë kërkesë të qytetarëve e ka institucionalizuar Partia Demokratike e Kosovës duke iniciuar procesin që e bën të mundur këtë.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorikisht kundër kësaj, por gjithashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ata kanë argumentuar se tani nuk është e nevojshme një gjë e tillë, por presioni ndaj qeverisë lidhur me këtë çështje ka vazhduar.
Çfarë bëri qeveria Kurti? Sot, ata morën vendim që të ndajnë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat dhe publik, në mënyrë që kjo kërkesë për tërheqje nga Trusti të shuhet.
Paga minimale
Sindikatat e pavarura të Kosovës kanë kërkuar që paga minimale në Kosovë të jetë 400 euro, por ndryshe nga kjo kërkesë do të jetë vendimi i qeverisë së Kosovës.
Vendimi për rritjen e pagës minimale i cili do të miratohet nesër parasheh që kjo pagë të bëhet 264 euro bruto, që nënkupton 250 euro neto, por, ajo çfarë ka bërë qeveria është që kjo shumë të lirohet nga tatimet që rrjedhimisht i bie 6.80 euro më shumë çdo muaj.
Përveç kësaj, qeveria për të neutralizuar pak kërkesat, ka vendosur që t’ua ndajë edhe nga 100 euro kësaj kategorie në mënyrë që kërkesat të zbuten.
Ligji i Pagave dhe rritja e pagave në sektorin publik
Punonjësit e sektorit publik tash e sa muaj kanë kërkuar miratimin e Ligjit të Pagave me rritje të pagave për punonjësit në sektorin publik, por kjo nuk shihet në horizont se do të ndodhë.
Përkundër kësaj, qeveria Kurti ka vendosur që nëpërmjet vendimit për ndarjen e 100 eurove të tentojë që së paku për disa kohë të shtyejë paralajmërimet për grevë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të paralajmëruar për 20 prill.
Por, nuk dihet nëse kjo do të ndodhë. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë dalë me një komunikatë për media ku kanë kërkuar që të plotësohen të gjitha pikat në të cilat ata kanë qenë konsistent tash e disa muaj.
Rritja e çmimeve
Kosova është përballur me rritje të madhe të çmimeve sidomos në tremujorin e parë të këtij viti. Mielli, nafta, vaji, madje edhe çmimi për një kilogram speca shkoi më shumë sesa që dikur kushtonte një kilogram mish.
Qeveria Kurti lidhur me këtë çështje për disa ditë shtoi inspektimet, por ndihmë ekonomike nuk pati. Ndihma e vetme ekonomike ndaj qytetarëve të Kosovës erdhi sot me vendimi për ndarjen e 100 eurove në muajin prill.
Nuk dihet nëse shuma prej 100 euro do t’i ndihmojë qytetarët e Kosovës që të tejkalojnë krizën financiare të shkaktuar nga rritja e çmimeve të të gjithë artikujve bazikë ushqimorë dhe jo vetëm. /Lajmi.net/