Rreth 10 mijë është numri i qytetarëve apo operatorëve që llogaritet se merren me kriptovaluta në Kosovë, sipas kryetarit të Komisionit parlamentar për ekonomi, Ferat Shala.
Ai thotë se kjo shifër është e institucioneve përgjegjëse, por nuk sqaron se cilat.
Shala megjithatë ka thënë se s’ka informacione për vlerën e qarkullimit.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” [v.j. në shqip: bllok zinxhir].
Ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme në botë, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.
Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.
Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.
Investimet në kriptovaluta, sipas ekspertëve, janë spekulative dhe ato mund të rezultojnë me fitime ose humbje të mëdha.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lëshuar më 3 dhjetor një komunikatë për media, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë tatim për to.
ATK-ja ka thënë se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura”.
“Me fokus të veçantë, ATK-ja do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat”, ka thënë ATK-ja.
Deri më tani, ajo nuk ka specifikuar se në bazë të cilit ligj do të duhet të paguhet tatimi mbi kriptovaluta, sa është numri i personave që merren me këtë veprimtari dhe a ka mekanizma për identifikimin e personave që merren me këtë veprimtari.
Në Kosovë ekziston Ligji për të ardhurat personale, në bazë të të cilit, personat që realizojnë fitime, janë të obliguar të deklarojnë tatimin mbi to.
Sipas këtij ligji, tatimi në të ardhura personale vjetore ngarkohet në katër shkallë.
Për të ardhura deri në 960 euro në vit, nuk paguhet tatim. Për të ardhurat nga 960 euro deri në 3,000 euro në vit paguhet 4 për qind, për të ardhurat nga 3,000 deri në 5,400 paguhet 8 për qind, kurse për të ardhurat mbi 5,400 euro – 10 për qind.