Reklama

Racizëm në Festën e Abetares, si u ndanë fëmijët e komuniteteve nga moshatarët e tyre shqiptarë

Ditën e martë u organizua Festa e Abetares për fëmijët në Karagaç të Pejës, por nuk pati festë për të gjithë. Disa fëmijë të komuniteteve të tjera u ndanë nga moshatarët e tyre.

Derisa shokët e tyre të klasës festonin në qendër të sallës, dhjetëra nxënës të komuniteteve të tjera qëndruan në karriget e shikuesve, anipse dëshironin që të festonin bashkë me ta.

“Po kena pas qef, po qitu tha mësuesja, qitu u ula”, “Mësuesja na tha (uluni këtu)”, thanë dy nga fëmijët e komuniteteve të tjera, të cilët po e shijonin nga larg Festën e Abetares.

Ndërsa, mësuesja e tyre Xhylfidane Morina deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi. Po ashtu e njëjta tha se kjo ishte dhe dëshirë e nxënësve.

Ky rast bëri që të ketë reagime të shumta se një racizëm i tillë nuk guxon të ndodhë nëpër shkollat e Kosovës.

I pari që reagoi për këtë rast ishte Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se ky është një gjest shumë i rëndë.

Por, në këtë festë mori pjesë edhe vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo gjatë ditës ka shkruar në Facebook se ishte pjesë e kësaj feste, duke iu uruar fëmijëve ‘Festën e Abetares’.

“Festa e Abetares” na mblodhi sot në Pejë, ku shijuam gëzimin për më të vegjëlit tanë, që kanë përfunduar mësimin e 36 shkronjave, duke filluar kështu historinë e tyre të arsimimit e që për secilin kjo histori nis me Abetaren”, kështu filloi shkrimin e saj Nagavci.

Megjithkëtë, ministri Krasniqi tha se Nagavci e ka njoftuar atë se ky rast është duke u trajtuar.

 

/T7/

 

 

Ju rekomandojmë