Çmimi i shportës familjare po vazhdon të rritet, pasi sipas statistikave zyrtare rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe pijeve jo alkoolike gjatë muajit janar ishte 2.4 për qind.
Qytetarët e Kosovës që nga viti 2021 kanë filluar të përballen me ngritjen e çmimeve, ku llogaritet se ishte 3.4 për qind. Në vitin pasues, ngritja e çmimeve ishte 12 për qind, kurse në vitin 2023 këto çmime llogaritet se janë ngritur mbi 6 për qind.
Edhe këtë vit sipas parashikimeve, shkalla e inflacionit pritet të jetë 3 për qind.
Kjo ka ndikuar që qytetarët të ankohen se nuk po mund t’ia dalin me pagat që ata i marrin dhe se e kanë të vështirë të mbulojnë nevojat më elementare për jetë. Sipas tyre, paga minimale duhet të jetë 400 euro.
Qytetari Agim Lukova tha se për disa qytetarë rritja e çmimeve është e vështirë. Për Kosovapress, ai u shpreh se gjithçka varet nga të ardhurat e familjes dhe se nëse rriten çmimet, duhet të rriten edhe pagat.