spot_imgspot_img

Qeveria thotë se po mbështet qytetarët dhe bizneset në përballje me inflacionin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të kryesuar nga Mark Bowman, zv. President i BERZh për Politika dhe Partneritet, Oleg Levitin, Zëvendës Drejtor për Qeverisje dhe Çështje Politike, si dhe Neil Taylor, Udhëheqës Rezident i Zyrës së BERZh në Kosovë.

Duke theksuar se BERZh-i mbetet një ndër partnerët kryesorë zhvillimorë të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i falënderoi në emër të Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u  bisedua për projektet aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen.

U tha se pavarësisht sfidave, ekonomia është e qëndrueshme dhe po zgjerohet vazhdimisht, ndikuar edhe nga Pako e Ringjalljes Ekonomike. U veçua mbështetja për prodhuesit vendorë, rritja e subvencioneve në bujqësi dhe subvencionimi i çmimeve të energjisë elektrike. U veçua edhe themelimi i Gjykatës Komerciale.

Duke theksuar se sundimi i ligjit dhe transparenca janë thelbësore për një klimë të mirë investimi, u tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për këtë gjatë gjithë mandatit.

U bisedua edhe për ndikimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, në rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë. U theksua se Qeveria po mbështet qytetarët dhe bizneset në përballje me inflacionin me një sërë masash .

Duke ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e  përkushtuar për tranzicion drejt energjisë së gjelbër, kryeministri Kurti falënderoi BERZh-in, që krahas partnerëve si  MCC, KfW dhe EIB, na mbështesin në këtë drejtim.

Në këtë takim u potencua se partnerët ndërkombëtarë kanë luajtur rol kyç në shtyrjen e agjendës sonë përpara lidhur me përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në përgjithësi./indeksonline/

Ju rekomandojmë