Shkurtimisht
- Rritja mbi 100% e çmimit të rrymës, pas liberalizimit të tregut të energjisë, ka detyruar shumë biznese t’i pezullojnë punësimet dhe të ndalojnë zgjerimin e linjave prodhuese.
- Nga 27 kompani të licencuara për tregtim, vetëm pak operojnë realisht në treg, duke e bërë konkurrencën minimale dhe çmimet e furnizimit pothuajse të pandryshueshme.
- Bizneset po kërkojnë zgjidhje tek energjia diellore për të ulur varësinë nga tregu i hapur dhe për të mbrojtur të ardhurat dhe vendet e punës, ndërsa ZRRE-ja thotë se nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë ka goditur rëndë bizneset prodhuese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe duke kufizuar mundësitë e tyre për zgjerim dhe punësim.
Kompania “Pestova” në Vushtrri, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates dhe numëron 260 punëtorë të rregullt, ka ndaluar një linjë të re prodhimi dhe ka pezulluar punësimin e 20 punëtorëve të rinj, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
Edhe pse ka shpenzuar 4% më pak rrymë në shtator të këtij viti, fatura e saj është rritur nga 10.962 euro në 25.535 euro – një rritje mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar.
Pronari Bedri Kosumi thotë se politika e kompanisë për të mbajtur cilësinë dhe çmimet konkurruese është vënë në pikëpyetje; planet për zgjerim dhe rritje të pagave janë pezulluar, ndërsa pajisjet për produkte të reja mbeten të papërdorura në depo.
“Politikë e kompanisë është që të jemi më të mirët në kualitet, por edhe më të lirët në raftet e dyqaneve. Pas liberalizimit, është zvogëluar marzha e fitimit aq shumë, saqë jemi në pozitë shumë të vështirë”, thotë Kosumi për Radion Evropa e Lirë.
Në situatë të ngjashme është edhe kompania “Cadi Cleaning” në Ferizaj, e cila prodhon produkte pastrimi.
Me një staf prej 75 punëtorësh, ajo nuk po arrin të lidhë kontrata të reja me klientë vendorë dhe ndërkombëtarë, për shkak të rritjes mbi 100% të kostos së energjisë elektrike.
Pronari Sadri Gashi thotë se është detyruar të pezullojë çdo plan për zgjerim të prodhimit dhe të ndalojë punësimin e stafit të ri.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se këtë muaj ishte në Gjermani, për të negociuar marrëveshje me një kompani gjermane, por thotë se përpjekja nuk dha rezultat.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
“I kam ofruar çmimin për furça tualeti prej 0.45 centësh për copë, por klienti më ka treguar se në Gjermani e merr të njëjtin produkt për 0.42 centë – pa kosto transporti. Në këto kushte, është e pamundur të konkurrojmë”, thotë Gashi.
Çmimet e energjisë dyfishohen
Nga 1 qershori, me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), bizneset më të mëdha në Kosovë – me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – kanë kaluar në treg të hapur të energjisë.
Kjo do të thotë se këto biznese nuk furnizohen më me tarifa të rregulluara, por blejnë energjinë sipas ofertave të kompanive private, të licencuara për tregtim.
Sipas ZRRE-së, në këtë proces janë të përfshira rreth 1.300 biznese, që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme.
Ky numër bazohet në të dhënat e vitit 2024, ndërsa të dhënat e këtij viti tregojnë një situatë ndryshe. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, në muajin shtator, numri i kompanive me më shumë se 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 10 milionë euro ishte 976.
Nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës thonë se këto kompani më parë paguanin rreth 75 euro për megavat rrymë, ndërsa tani çmimi ka shkuar deri në 190 euro për megavat, duke përfshirë edhe tarifat shtesë.
Çmimi ndryshon varësisht nga shpenzimi, niveli i linjës në tension dhe bursa energjetike.
Sipas Kushtrim Ajvazit, udhëheqës i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, nga 300 kompani që kanë dalë në treg të hapur të energjisë, vetëm 60 kanë mundur të sigurojnë kontrata me çmim fiks deri në fund të dimrit.
“… pra, jemi në një situatë ku bizneset, edhe pse po paguajnë dyfish e gjysmë më shtrenjtë, në njëfarë mënyre, janë gëzuar që kanë arritur ta fiksojnë çmimin deri në fund të dimrit, duke filluar nga muaji nëntor”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ajvazi shpjegon se një kompani prodhuese, e cila për konsum energjetik në muajt maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator të vitit 2024 ka paguar 46.564 euro, për të njëjtën sasi të energjisë këtë vit pagoi 117.707 euro.
“Ka biznese që janë mbyllur, ka biznese që planet investive për këtë vit i kanë ndërprerë, kurse rritjen e pagave e kanë pezulluar”, thotë ai.
Të gjitha këto probleme, sipas përfaqësuesve të bizneseve, burojnë nga fakti se procesi i liberalizimit të energjisë nuk është përgatitur siç duhet.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës dorëzoi edhe një padi në Gjykatën Supreme kundër ZRRE-së.




