Reklama

Prodhuesi i kriptovalutave në veri: S’paguajmë rrymë prandaj pse mos t’i prodhoj

Dragani (identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë) nga veriu i Kosovës planifikon të ndalë makinat e tij të prodhimit të kriptovalutave për një kohë, nga të cilat fiton rreth 2 mijë euro në muaj.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ka vendosur kështu pas vendimit të 4 janarit të Qeverisë së Kosovës, i cili ndalon prodhimin e kriptovalutave në tërë territorin e Kosovës, për shkak të krizës me energji elektrike.

Pajisjet që prodhojnë kriptovaluta konsumojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.

“Nuk do të ishte e këndshme nëse ata vijnë dhe marrin këto pajisje në vlerë rreth 20-30 mijë eurosh”, thotë Dragani.

Dragani ka katër vjet që merret me prodhimin e kriptovalutave. Ai ka gjithsej shtatë pajisje në tarracën e banesës së tij. Disa thotë se janë të reja, e disa të përdorura i ka blerë “nga shqiptarët”.

“Kam llogaritur, e gjithë bota po prodhon (kriptovaluta), po paguan energjinë elektrike. Ne këtu nuk paguajmë rrymë, kështu që pse mos t’i prodhoj”, thotë ai.

Më herët, tregon ai, faturat mujore të energjisë elektrike nga institucioni serb (Elektrokoorporata e Serbisë) arrinin deri në 230 euro, por muajt e fundit, ai nuk e di se sa shpenzon pasi faturat nuk i vijnë fare.

Sipas tij, në komunat në veri të Kosovës ka një numër të madh të njerëzve që prodhojnë kriptovaluta.

“Shumica dërmuese kanë një pajisje në shtëpi”, thotë Dragani.

“Ju investoni 3-4 mijë euro dhe kjo të sjellë fitim prej rreth 300 eurosh në muaj”, shton ai.

Dragani tregon se kur filloi të merrej me prodhimin e kriptovalutave, vlera e Bitcoin-it, një prej llojeve të kriptovalutave, ishte e mirë, por pastaj ra. Ai shton se megjithatë, “Bitcoin tani është rritur, kështu që fitimet janë shumë të mira”.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një koment nga Ministria e Ekonomisë se si do të identifikohen prodhuesit e kriptovalutave, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk janë përgjigjur.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës, Besim Hoti, thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave vlen për të gjithë personat juridikë dhe fizikë.

“Tani si do të jetë urdhri dhe çfarë do të jenë masat, do ta shohim në vazhdim”, thotë Hoti.

Sipas tij, deri më tani prodhimi i kriptovalutave nuk ka qenë vepër penale, pasi nuk është paraparë me ligj.

“Kemi dashur të iniciojmë raste edhe më herët. Këtë e kemi kërkuar nga Prokuroria. Kemi kërkuar që të iniciohen rastet, nëse për asgjë tjetër, për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike. Por, nuk kishte asnjë bazë ligjore për këtë. Vendimi tani ndryshon situatën. Unë besoj se opinioni tani ka informacion për këtë dhe do të shohim se si do të veprojmë për këtë”, thotë Hoti.

Çfarë janë kriptovalutat?

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir).

“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra.

Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë.

Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Prodhimi i kriptovalutave konsumon shume energji elektrike sepse përfshin kompjuterë që bëjnë kalkulime për t’i verifikuar transaksionet.

Shteti pa qasje në veri të Kosovës

Ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i pajisjeve që prodhojnë kriptovaluta në Kosovë dhe sa shpenzojnë energji elektrike këto pajisje.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo kompani e ka të pamundur të identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”, thotë Buzhala.

Për shkak të kompleksitetit të shpenzimit të energjisë nga pajisjet për prodhimin e kriptovalutave, Buzhala thotë se e kanë të pamundur ta dinë se sa energji shpenzojnë ato.

“E dimë që janë shpenzues relativisht të mëdhenj [të energjisë elektrike] pasi që bëhet fjalë për angazhim të madh të energjisë, por nuk e dimë sa pajisje janë në treg, cilat janë lokacionet tyre, a punojnë gjatë gjithë kohës, çfarë kapaciteti shpenzues kanë ato”, thekson Buzhala.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem. Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Si funksionojnë “minierat”?

Granit Kadolli, i cili për disa vjet ka prodhuar kriptovaluta, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë janë dy lloje të pajisjeve që prodhojnë kriptovaluta: ASIC Miner, që prodhon kryesisht Bitcoin dhe GPU Mining (minierat) që përbëhet prej kartelave grafike.

Sipas tij, në Kosovë përdoren më shumë pajisjet me kartela grafike.

“ASIC Miner shpenzon rrymë 1.8 dhe 2.2 kilovatë në orë, kurse GPU Miner shpenzon 1.1 deri 1.8, e që janë pajisje më të mëdha, më të shtrenjta. Shumica prej qytetarëve që kanë investuar në kriptovaluta kanë GPU. Shpenzimet nuk janë shumë të mëdha që të ndikojnë në krizën energjetike”, thotë Kadolli.

Ai thotë se vendimi i Qeverisë është i ngutshëm sepse ka njerëz që kanë blerë pajisjet me kredi, pasi një e tillë mund të kushtojë rreth 7 mijë euro.

“Njerëzit kanë marrë kredi për të përfituar diçka, por në anën tjetër një pajisje e tillë nuk shpenzon më shumë se 45 euro rrymë në muaj. Shumica prej njerëzve në Kosovë kanë të tillë nëpër shtëpi, pasi kam folur me shumë prej tyre në rrjetet sociale”, thotë Kadolli.

Llogaritet se 0.21 për qind e elektricitetit të mbarë botës harxhohet për të fuqizuar minierat e Bitcoin-it.

“Minatorët” e Bitcoin-it llogaritet se harxhojnë 60 deri në 80 për qind të fitimeve nga puna si minatorë, për të mbuluar kostot e rrymës.

Sipas një analize të Universitetit të Kembrixhit në Angli, Bitcoin shpenzon energji elektrike në vit më shumë se e gjithë Argjentina.

E pamundshme që të kontrollohen prodhuesit e kriptovalutave

Ardian Alaj, bashkëpronar i një kompanie për këmbim të kriptovaltuave në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e pamundshme që të kontrollohen prodhuesit e kriptovalutave.

“Ato janë pajisje sikur pajisjes tjera shtëpiake, frigoriferi, televizori, shporeti elektrik dhe të gjitha janë që shpenzojnë energji elektrike. Është e pamundshme të identifikohen”, thotë Alaj.

“Një mundësi e vetme që të identifikohen këto pajisje që prodhojnë është përmes operatorëve që shpërndajnë internet, përmes portave të caktuar që lidhen me IP të Kosovës. Duke e pasur parasysh që pjesa veriore është target dhe kjo pjesë nuk kontrollohet nga operatorët e internetit që janë të licencuar në Kosovë, është e pamundur të kontrollohen”, shton Alaj.

Shteti, sipas tij, mund të verifikojë dhe kontrollojë vetëm ata persona (prodhues) që kanë importuar në mënyrë të rregullt dhe që paguajnë tatim në Kosovë.

“Është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me të gjithë ata persona dhe kompani që kanë blerë këto pajisje dhe që i kanë importuar në procedurë të rregullt, dhe kanë paguar rreth 29.5 për qind taksë doganore dhe TVSH”, shton Alaj.

Sipas tij, arsyeja përse nuk dihet numri i saktë i pajisjeve që prodhojnë kriptovaluta në Kosovë, është se nuk ka pasur kod unik doganor për të identifikuar këto pajisje dhe të njëjta kanë hyrë në Kosovë si pajisje të teknologjisë Iinformative, qoftë si kompjuterë ose kartela grafike.

Në fund të vitit 2021, kryetari i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë llogaritet të jenë rreth 10 mijë operatorë të identifikuar – persona fizikë dhe juridikë që merren me prodhimin e kriptovalutave.

Në tentim për të rregulluar këtë veprimtari, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë filluar procedurat për nxjerrjen e një ligji për kriptovalutat.

Përmes Projektligjit për kriptovaluta, synohet të bëhet kategorizimi i kriptovalutave dhe format e taksimit, në mënyrë që kjo industri të ketë pajtueshmëri me ligjet vendore dhe ndërkombëtare të transferimit të parave dhe për parandalimin e pastrimit të parave

Ju rekomandojmë