Reklama

Pastrimi i Parasë? Prona blihet 30 mijë dollarë dhe shitet pas dy muajsh me vlerë 8 herë më të lartë!

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zbardhur disa prej tipologjive që hasen më shpesh kur vjen fjala te futja në qarkullim e parave të pista. Një prej tyre është blerja e një pasurie të paluajtshme me vlerë shumë të ulët dhe shitja e saj pas vlerësimit me një vlerë deri 8 herë më të lartë. Në raportin e saj zyrtar për vitin 2021, ka ilustruar dhe me terma praktikë si funksionon ky sistem.

Në shkurt 2021, shtetasi A (i cili zotëron një biznes të llojit person fizik) ka blerë një pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 1,500 m2 , me çmim 30,000 USD. Dy muaj më pas, shtetasi ka bërë fillimisht rivlerësimin e pronës në vlerën 240,000 USD dhe më pas ia ka shitur truallin një biznesmeni që operon në fushën e ndërtimit me të njëjtin çmim (240,000 USD).

Pra brenda 2 muajsh, pronën e blerë për vetëm 30,000 USD e ka shitur me një çmim tetë herë më të lartë, ndërkohë që nga verifikimet e kryera nuk rezultoi që mbi këtë truall të ishte realizuar investim, i cili mund të kishte rritur vlerën e pasurisë.

Tregu i ndërtimit konsiderohet në raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave si një prej sektorëve me riskun më të lartë, ku mbizotëron forma e investimit me burim të panjohur fondesh. Transfertat e dyshimta janë forma e dytë, të pasuara nga dhënia e Sponsorizimeve, dhurimeve, apo huave për të tretë pa u konstatuar lidhje të dukshme që justifikojnë transaksionet mes palëve.

Lorenc Rabeta / SCAN

Ju rekomandojmë