Në mungesë të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës ka dështuar votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Lidhur me këtë njohësit e çështjeve juridike kanë thënë se për faktin që subjektet politike nuk e shprehin vullnetin për deklarimet e tyre, ju konvenon dhe nuk dëshirojnë të jenë transparentë.
Sipas tyre kjo ngjall dyshime tek qytetaret se prej ku po financohen subjektet politike.Madje Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se partitë politike në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi jo vetëm që marrin burime financiare, donacione, ndihmesa nga subjekte të ndryshme juridike dhe subjektet fizike por ata marrin edhe nga jashtë.
“Deri sa ata nuk dëshirojnë asnjëherë dhe nuk kanë bërë asnjëherë në tërësinë e tyre transparente të gjitha burimet sepse kemi qenë dëshmitarë të fushatave zgjedhore galopante, jashtëzakonisht glamuroze, të kushtueshme shumë me një kosto të paimagjinueshme hera herës financiare dëshmon se ato nuk do të mund t’i marrin të gjitha ato veprime dhe të ndërmarrin të tilla fushata me burimin e tyre të financuar nga shteti”.
“Nuk ka vullnet të tillë politikë, dhe gatishmëri të subjekteve politike, në këtë rast, parlamentare sepse ato vendosin për këtë punë, arsyeja kryesore është sepse asnjë herë nuk është bërë në plotni transparente e çartë, e shpjegueshme dhe e njohur për publikun se si financohen subjektet politike. Pra në kundërshtim edhe me dispozitat e ligjit në fuqi partitë politike jo vetëm që marrin burime financiare, donacione, ndihmesa nga subjekte të ndryshme juridike dhe subjektet fizike por edhe nga jashtë. Prandaj është një gjendje të cilën nuk duan ta ndryshojnë partitë politike sepse ju konvenon, kanë një status të caktuar dhe nuk dëshirojnë të jenë transparente”, ka thënë Baraliu për EkonomiaOnline.
Madje ai tha se edhe procesi i auditimit nuk është duke funksionuar, duke thënë se është obligim ligjor i subjekteve politike që të auditohen të hyrat e tyre.“Po ashtu kanë vepruar dhe veprohet me vite të tëra edhe sa i përket Auditimit që është një obligim ligjor i subjekteve politike që të auditohen të hyrat e tyre dhe të financimit, dhe të veprimtarisë sepse ata marrin edhe një buxhet të konsiderueshëm nga Kuvendi i Kosovës i cili është diku 50 cent për një anëtarë të partisë të subjektit politik por të gjitha këto arsyeje nuk dëshirojnë fatkeqësisht edhe subjektet politike që të kalojë një ligj i tillë për arsye se nuk dëshirojnë që të jenë sa duhet transparent e kur kështu nuk dëshirojnë dhe këtu nuk janë korrekt sa i përket edhe transparencës edhe llogaridhënies, edhe ndershmërisë, edhe ligjshmërisë së veprimtarisë së tyre si bëjnë ato në pushtet? E bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Baraliu.
Gazmir Rraci, njohës i çështjeve juridike ka thënë se ligji duhet miratohet sa më shpejtë që të largohen dyshimet lidhur me diskutimet se nga kush dhe si i financohen partitë politike në vend.Ai shtoi se në çoftë se burimet janë të sigurta dhe të pastërta atëherë, s’ka arsye që mos t’i publikojnë të hyrat e tyre.
“Partitë politike në Kosovë duhet t’i bëjnë financat e tyre publike dhe duhet të dihen saktë burimet e tyre financiare në mënyrë që të kontribuojnë po ashtu edhe si parti politike në ndërtimin e një transparence sa më të madhe sa i përket shpenzimit të mjeteve financiare. Ligji duhet miratohet sa më shpejtë sepse e rregullon këtë çështje njëherë e përgjithmonë duke pasur parasysh se ka pasur shumë diskutime në Kosovë se kush, çka dhe si i financon partitë politike të Kosovës”.“Në bashkimin Evropian secila parti politike serioze i bënë publike të hyrat e tyre financiare andaj edhe ne si Kosovë duhet të jemi në harmoni me këtë frymën e legjislacionit Evropian dhe nëse ne si elitë politike, partitë politike në këtë rast synojnë shtet të së drejtës, shtet ligjorë, transparent atëherë edhe financat e tyre do të jenë transparentë për publikun. Në çoftë se ato nuk i bëjnë publike të ardhurat atëherë ka vend për dyshime. Dhe në çoftë se burimet janë të sigurta dhe të pastërta atëherë pse mos t’i bëjnë publike këto të hyra”, ka thënë Rraci.
/Lajme.net/