Reklama

Paratë e diasporës diktojnë rritjen ekonomike

Ekonomia vazhdon të jetë e varur nga paratë që diaspora dërgon në Kosovë. Paratë e dërguara dhe ardhja e tyre për pushime në Kosovë, po përmenden si një ndër faktorët kryesorë për rritje ekonomike në 7.1 për qind në këtë vit nga -5.3 për qind sa kishte rënë vitin e kaluar.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore, të publikuar më 6 tetor, thuhet se aktiviteti ekonomik në Kosovë gjatë vitit 2021 pritet të zgjerohet në 7.1 për qind, rritje kjo e nxitur nga vizitat e diasporës dhe masat mbështetëse fiskale. Në periudhën afatmesme, sipas raportit, rritja ekonomike do jetë e kushtëzuar nga përshpejtimi i procesit të vaksinimit kundër COVID-19 dhe menaxhimit të pandemisë.

Profesori i ekonomisë në Kolegjin UBT, njëherësh ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, konsideron se ky nivel i rritjes ekonomike është inkurajues pasi përfitimet ekonomike në vitin 2021 duhet të kompensojnë humbjet e shkaktuara nga pandemia në vitin e kaluar, kur Kosova është përballur me pandeminë dhe me masat kufizuese. Të ardhurat e diasporës, sipas tij, vazhdimisht kanë pasur ndikim të madh në ekonominë e Kosovës.

“Ndikimi i diasporës në Kosovë vazhdimisht ka qenë jashtëzakonisht i madh. Ardhja masive e qytetarëve në këtë vit ka bërë që remitencat apo të ardhurat nga diaspora të jenë dukshëm më të mëdha sesa në vitet paraprake. Prandaj edhe ndikimi në rritjen ekonomike është ndierë në këtë periudhë. Të ardhurat që kanë sjellë bashkëqytetarët tanë kanë bërë që konsumi të rritet në Kosovë”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i rritjes së konsumit ka determinuar rritjen ekonomike. Por, konsumi sipas tij, nuk është burim i qëndrueshëm i rritjes ekonomike.

“Ne nuk duhet të kemi ndonjë entuziazëm të tepruar nga rritja ekonomike gjatë këtij viti, pasi në të njëjtën kohë kemi indikacione të rritjes së inflacionit. Kjo rritje ekonomike shumë lehtë vitin tjetër mund të na zhgënjejë nëse vazhdon trendi i rritjes së çmimeve”, thotë Rukiqi. /REL/

Ju rekomandojmë