E përditshmja britanike The Guardian i ka kushtuar një artikull çështjes së Bitcoin në Kosovë, sa i përket konfiskimit të pajisjeve të shumta kompjuterike që në lokacione të caktuara policia i kapi pasi me to bëhej mihje të kriptovalutave – pikërisht në kohën kur vendi ynë po ballafaqohet me një krizë energjetike.
Siç raporton kjo medie, nga Facebook e deri në Telegram, postime të shumta nëpër grupe të kriptovalutave ka dominuar nga Kosovarët që po mundoheshin t’i shisnin pajisjet për mihje të kriptovalutave – shpesh duke i nxjerr në shitje me çmime të ndryshme, transmeton Telegrafi.
“Ekziston një lloj paniku dhe pikërisht për këtë po mundohen ti’ shesin apo zhvendosin në vendet fqinje”, tha CryptoKapo një invistues i kriptovalutave.
Viti që lamë pas e vuri Kosovën në ballinat e mediave ndërkombëtare pas vendimit të marrë nga qeveria e vendit që të ndalohej mihja e kriptovalutave, kjo për shkak të shpenzimit të madh të energjisë elektrike – e cila muajve të fundit po mungon dhe po ndodhin reduktime.
Bitcoin dhe kriptovalutat tjera krijohen apo ‘mihen’ nga kompjuterë që shpenzojnë energji të madhe që konkurrojnë për të zgjidhur enigma të ndryshme komplekse matematikore, që është proces shumë intensiv që shpërblen njerëzit bazuar në sasinë e kompjuterëve që ofrojnë.
Sipas një kalkulimi të bërë nga Universiteti i Kembrixhit, konsumi i energjisë elektrike për bitcoin sipas indeksit për konsum të energjisë – nevojiten afro 125.96 terawatt për orë në vit, duke bërë që konsumi të tejkalojë shpenzimin e energjisë në Norvegji (122.2 TWh), Argjentinë (121 TWh), Holandë (108.8 TWh) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (113.20 TWh). /Telegrafi/