Bizneset në komunën e Prishtinës dhe të Fushë-Kosovës ishin cak i kontrolleve tatimore gjatë javës së kaluar. Qëllimi i kontrolleve ishte verifikimi i punëtoreve dhe konstatimi i faktit nëse të njëjtit ishin duke punuar me apo pa kontratë pune.
Për këto biznese dhe qindra të tjera në të gjithë Kosovën gjatë kësaj periudhe ishte ngritur flamuri i kuq në ATK pasi sistemi kishte zbuluar se kishte rrezik të madh se në to po angazhoheshin punëtorë pa kontrata pune.
Tetë biznese që iu nënshtruan kontrolleve për punëtor u hasën në parregullsi tatimore pasi në të gjitha këto biznese u konstatuan punëtorë duke punuar pa kontrata të punës.
Kafiteri, restorante, furra dhe biznese të tjera iu nënshtruan këtij kontrolli për një javë rresht.
Në krye të operacionit me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së ishte vendosur zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Operacioneve, Nijazi Asllani.Më shumë se dhjetë punëtorë në këto biznese u hasën duke punuar ndonëse nuk ishin të regjistruar, bizneset pritet të ndëshkohen ndërsa punëtoret të deklarohen.
https://www.facebook.com/kallxo/videos/192499923087275
Një javë më parë Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni kishte folur në emisionin “Kallxo Përnime” për rëndësinë e regjistrimit të punëtorëve.
“Puna të cilën ata e kryejnë nuk u figuron askund, nuk u llogaritet përvoja e punës, nuk u paguhen detyrimet tatimore dhe as kontributet pensionale.
Përpos këtyre punëtorët nuk kanë mundësi as të ndërmarrin hapat ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në gjykatë”, kështu ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.Sipas tij, punëtorët e regjistruar përfitojnë benefite të caktuara përderisa ata që nuk kanë kontratë pune dhe nuk deklarohen në institucione nuk mund të jenë përfitues të këtyre benefiteve.
Kontrolle tatimore për verfikim të deklarimit të punëtoreve janë zhvilluar gjatë gjithë muajit nëntor nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Këto aksione janë filmuar nga KALLXO.com dhe janë shfaqur në emisionin “Kallxo Pernime”. / kallxo.com/