Vlera e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, ka shënuar humbje rreth 90 milionë euro.
Humbjet kanë ardhur si pasojë e krizës në tregjet ndërkombëtare të shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë.
Nga Fondi i Kursimeve Pensionale, prej mbi 2.3 miliardë euro, 78 për qind e mjeteve janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 22 për qind në Kosovë.
Fondi prej mbi 2.3 miliardë eurosh u takon mbi 700 mijë kontribut-paguesve të Kosovës.
Jeton Demi, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas ngritjes së vlerës së këtij fondi për 11 për qind në vitin 2021, aktualisht po shënohen humbje.
“Rënia e vlerës së investimeve të Fondit Pensional është e pritshme. Aktualisht, kemi një reduktim prej 4 për qind të vlerës”, thotë Demi.
Rusia në orët e para të 24 shkurtit nisi sulmet ndaj Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi “operacion special” për të “çmilitarizuar” Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të problemeve të sanksioneve ekonomike, por edhe për shkak të çrregullimit të tregut ekonomik dhe financiar, paratë e Fondit Pensional do të vazhdojnë të shënojnë rënie.
“Ky vit do të jetë shumë më i dobët. Do të kemi kthim negativ, do të kemi minus në investime”, thotë Bektashi.
Mjetet e Fondit të cilat janë të investuara në Kosovë, shton Bektashi, nuk do të mund t’i mbulojnë të gjitha humbjet që do të realizohen nga investimet që janë në tregjet financiare ndërkombëtare.
Humbjet në aspektin ekonomik, shton Bektashi, do të jenë deri në përfundimin e luftës, por që me ndërprerjen e luftës, tregjet financiare reagojnë duke rritur indekset e tyre dhe fitmet e realizuara.