Nga targat ilegale në RKS – mbi 1,350 qytetarë në veri kanë riregjistruar veturat e tyre
Interesim i madh është vërejtur gjatë këtyre ditëve nga qytetarët në veri të Mitrovicës, për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS-Republika e Kosovës.
Që nga 1 nëntori e deri më sot, mbi 1, 350 qytetarë kanë aplikuar për riregjistrim të veturave në veri.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë për veri, Veton Elshani.
Qeveria e Kosovës më 30 tetor vendosi për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Shtyrjes së afatit i parapriu një kërkesë nga drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Kjo kërkesë u bazua në kërkesat e qytetarëve që kërkuan që ky afat të vazhdohej./Telegrafi