Reklama

Nesër protestojnë sindikatat, kanë tri kërkesa

Nesër, e premte, do të mbahet Protesta e paralajmëruar e Federatave dhe Shoqatave Sindikale.

Siç ka bërë të ditur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, protesta do të nisë nga ora 12:00 nga Biblioteka deri para ndërtesës së Qeverisë.

“Protesta do të niset në orën 12:00 nga Biblioteka Kombëtare dhe do të vazhdojë drejt rrugës Agim Ramadani poshtë rrugës Eqrem Çabej në drejtim të rrugës Xhorxh Bush e nëpërmes Sheshit Zahir Pajaziti për t’u ndalur në Sheshin Skënderbeu para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës ku Partnerit Social – Qeverisë do t’i parashtrohen kërkesat e Federatave Sindikale të BSPK”, thuhet në njoftimin për media.

Në komunikatë janë përsëritur tri kërkesat e këtyre sindikatave. E para është miratimi i Ligjit të Pagave sa më shpejt. Deri në atë kohë të niset me shtesa 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Kërkesa e dytë është fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor.

Ndërkaq, e treta është për ndryshimin e Ligjit për Skema Pensionale, sidomos pika që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të 1983-s, e cila kërkon 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 1 janar 1999./Lajmi.net/

Ju rekomandojmë