Ekonomia shqiptare do vijojë të ruajë të njëjtën linjë rritjeje referuar sektorëve specifikë, edhe për tre vitet e ardhshme. Sipas dokumentit të kuadrit makroekonomik fiskal 2023-2025, nga pikëpamja e ofertës agregate pritet që të gjithë sektorët kryesorë të vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike.
Konkretisht, peshën më të madhe do të vijojnë ta mbajnë shërbimet, me një rritje mesatare vjetore prej rreth 4.7 për qind dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 2.3 pikë përqindje. Ndjekur nga industria, e cila parashikohet me një rritje mesatare vjetore prej rreth 4.5 për qind dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.5 pikë përqindje.
Më pas renditet “Ndërtimi” me rritje mesatare vjetore prej rreth 3.1 për qind dhe kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.3 pikë përqindje. Ndërsa rritjen më të ulët e regjistron sektori bujqësor, mesatarisht me rreth 2.2 për qind në vit në terma realë përgjatë periudhës 2023–2025, me një kontribut mesatar vjetor në rritjen ekonomike prej rreth 0.4 pikë përqindje.
Elisabeta Dosku / SCAN