Në vitin 2022, familjet evropiane kanë kursyer 1/8 e të ardhurave të tyre, sipas të dhënave të fundit. Megjithatë, në cilin vend njerëzit kursejnë më shumë?
Të kursesh apo të mos kursesh, kjo është çështja. Vitin e kaluar, evropianët zgjodhën të kursenin 1/8 e të ardhurave të tyre, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, zyra statistikore e BE-së.
Në vitin 2022, familjet në BE kursyen mesatarisht 12.7% të të ardhurave të tyre të disponueshme, ndërsa norma për eurozonën ishte më e lartë, në 13.7%, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Të ardhurat e disponueshme të familjeve janë ato që familjet kanë në dispozicion për të shpenzuar dhe kursyer pas taksave dhe pagesave të tjera, siç përcaktohet nga Eurostat.
“Nëse familjet fitojnë 100 euro, ata shpenzojnë 78.30 euro dhe mbeten me 12.70 euro për të kursyer”, shpjegoi kryeekonomisti në Astères, Sylvain Bersinger.
“Është një shifër normale. Shumica e vendeve në BE kanë një normë kursimi familjar midis 10% dhe 15%”, shtoi ai.
Po kjo është një shifër shumë më e lartë se në Shtetet e Bashkuara, ku banorët kursyen vetëm 3.4% të të ardhurave të tyre në shtator 2023, sipas Statista.
Gjermania është kampione e Evropës
Në BE, Gjermania arriti në vendin e parë me normën më të lartë të kursimeve bruto (19.91), Holanda në vendin e dytë (19.44) dhe Luksemburgu në të tretin (18.14).
Në anën tjetër, dy vende janë “në të kuqen”, me norma negative kursimi: ata shpenzojnë më shumë se sa fitojnë.
Ajo që ata fitojnë nuk mjafton për të financuar konsumin e tyre, kështu që ata marrin hua ose përdorin kursimet që kanë grumbulluar në të kaluarën. Këto dy vende janë Polonia dhe Greqia.
Megjithatë, familjet evropiane nuk mund të përmblidhen në një profil. Ekzistojnë dallime të mëdha në sjelljet e kursimit në Evropë, “aq sa në familje”, shpjegoi Luigi Guiso, studiues në Qendrën për Kërkime Ekonomike dhe Politike (CEPR).