Reklama

Në dhjetor, deficiti tregtar iu afrua 400 milionëshit

Në dhjetorin e vitit që lamë pas, ekporti dhe importi i mallrave në Kosovë shënuan rritje. Një rritje kjo, e cila u manifestua edhe me rritje të deficitit tregtar, si pasojë e importit më të lartë sesa eksportit.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjatë vitit 2021 në dhjetor, eksporti i mallrave në Kosovë shënoi rritje për 39.3 për qind e që arriti vlerën në 65 milionë euro, kurse importi shënoi rritje për 29.3 për qind ose preku vlerën e 460 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas të dhënave të raportit të Agjencisë së Statistikave (ASK) me titull “Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Dhjetor 2021”, thuhet se deficiti tregtar gjatë dhjetorit të vitit 2021 u rrit për 27.8 për qind, ose në vlerë prej 394.9 milionë euove, ndërkohë që gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2020 ai ishte vetëm 309.1 milionë euro. Me këto të dhëna nga ASK-ja, eksporti mbulon importin me 14.1 për qind.

Raporti shpjegon se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 22.1 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.8 për qind prodhimet nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 9 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 5.1 për qind produktet minerale si dhe 3.9 makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.0 për qind e përbëjnë produktet minerale, 14 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.3 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6 për qind të importit e përbëjnë mjetet e transportit, 6.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre si dhe 6.8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike.

Në po të njëjtin raport të ASK-së thuhet se eksportet e Kosovës në 27 vendet e BE-së arritën në 17.2 milionë euro, ose rreth 26.5 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.5 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE, sipas të dhënave të raportit, ishin Gjermania me 9.4 për qind, Italia me 2.9 për qind dhe Holanda me 2.3 për qind.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin në vlerë të rreth 210.6 milionë eurove, ose 45.8 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.4 për qind.

Importet me pjesëmarrjen më të lartë gjatë kësaj periudhe ishin nga Gjermania rreth 12 për qind, nga Italia me 7.2 për qind, Sllovenia 4.7 për qind dhe Greqia me 4.3 për qind.

Sa i përket eksporteve me vendet e CEFTA-s, gjatë muajit dhjetor 2021 ato arritën në 22.8 milionë euro, ose 35.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -1 për qind. Partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria me 13.5 për qind, Maqedonia e Veriut me 13.3 për qind, Serbia me 5.4 për qind dhe Mali i Zi me 2 për qind.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2021, arritën në 79.4 milionë euro, ose 17.3 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14.7 për qind. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import ishin: Serbia me 6.4 për qind, Maqedonia e Veriut me 5.2 për qind dhe Shqipëria me 4.3 për qind.

Ndërkohë, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës gjatë kësaj periudhe arritën në 24.9 milionë euro, ose 38.4 për qind më shumë. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlenë të përmenden SHBA-ja me 25.9 për qind dhe Zvicra me 6.6 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 169.9 milionë euro, ose 37 për qind. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 13.4 për qind dhe Kina me 11 për qind. (Blendrita Avdiu) /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë