Reklama

Miratohet në parim buxheti për vitin 2022

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Ligjin për ndarjet buxhetore 2022.

Prezentë në seancë ishim 88 deputetë. Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, pas shumë diskutimeve është miratuar në shqyrtim të parë buxheti i vitit të ardhshëm.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar Projektbuxhetin për vitin 2022, i cili parashihet të jetë mbi 2.7 miliardë euro.

Murati duke paraqitur këtë Projektligji, tha se sa i përket vitit që po e lëmë pas kanë përcjellë me kujdes treguesit kryesorë ekonomik, saktësisht përgjatë periudhës janar-shtator.

Shqyrtimi i parë i Projektbuxhetit, Murati: Ekonomia është rimëkëmbur nga pandemia, buxheti 2022 do të jetë 8.7 për qind më i lartë

Ministri Murati para deputetëve të Kuvendit tha se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë gjysmës së parë të vitit ka shënuar një rritje rreth 10 për qind.

“Sa i përket Projektligjit të Buxhetit si shifër e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore parashihet të kemi 2 miliardë e 748 milionë euro apo rreth 8.7 për qind më i lartë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti kurse te të hyrat kemi paraparë 2 miliardë e 364 milionë euro apo rreth 15 për qind më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti”, tha Murati.

“Deficit po ashtu parashihet që të rikthehet në normalitet duke zvogëluar trendin rritës po ashtu edhe të borxhet publik, për shkak se këtë vit presim që për herë të parë prej pavarësisë të kemi një buxhet të balancuar. Sa i përket strukturës së shpenzimeve kemi rritje pothuajse në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me një rritje më të lartë tek investimet kapitale. Po ashtu kemi buxhetuar edhe mbështetjen për familjen dhe për projekte infrastrukturore”, ka shtuar ai.

Sipas tij, rritja e deritashme konfirmon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në aktivitetin ekonomik.

“Ekonomia e Kosovës gjatë vitit aktual pritet të rritet në mënyrë dyshifrore, pra me rreth 10 për qind në terma real, ndërsa 12.2 për qind në terma nominal”, tha ai. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë