Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë duke dizajnuar një masë sa i përket subvencionimit të atyre që e kursejnë energjinë elektrike. Murati para gazetarëve tha se shumë shpejt do të dalin me detaje për masën në fjalë.
“Ne jemi duke dizajnu edhe masa shtesë për sa i përket kursimit të energjisë elektrike. Marrë parasysh që çdo konsum i tepërt përtej asaj që prodhojmë është fjala po na kushton shumë shtrenjtë për t’u importu, në vend se të importojmë ne kemi pa më të arsyeshme që të shpallim masa nxitëse që të subvencionojmë kursimin sepse për ne është më mirë që paratë të mbesin tek qytetarët tanë sesa t’ia paguajmë një tregtari të energjisë në Hungari apo Rumani. Për ne është shumë më e rëndësishme që edhe nëse paguhet nga buxheti ato para të mbesin në xhepat e qytetarëve”, tha Murati.
Ai mori shembull nëse një familje do të kursejë 10% të energjisë në muajin shkurt 2022 në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2021 atëherë ajo përqindje do të subvencionohet nga shteti.
“Do të dalim shumë shpejt me detaje, por masa ka të bëjë me faktin që kushdo që arrin ta ulë konsumin në raport me muajin e njëjtë të vitit paraprak, proporcionalisht e madje edhe mbi proporcionalisht të subvencionohet. Nëse ta zëmë në raport me vitin paraprak për muajin shkurt një familje arrin të kursejë 10% më pak kilovat orë të energjisë elektrike gjatë ditës, e njëjta përqindje do të subvencionohet nga shteti për tërë faturën që e ka ajo familje për atë muaj. Shembull nëse dikush ka shpenzuar 100 euro në shkurtin e vitit të kaluar dhe këtë vit arrin ta ulë konsumin për 10 euro në 90 euro do të marrë edhe poaq nga shtetit pra do të kursejë dyfish. Për neve është shumë e rëndësishme që të ulet importi”, tha Murati.