Reklama

Menaxhimi: Meritat e vërteta të stilolapsit dhe letrës në biznes!

Personalisht, jam shumë i dhënë ndaj teknologjisë dhe mbetem entuziast për gjithçka që të lejon të bësh! Por, në të njëjtën kohë, më duhet të pranoj pengesat apo mënyrat se si teknologjia më kufizon që të bëj atë që duhet të bëj më mirë – konkretisht; të organizoj mendimet apo të planifikoj punën time! Prandaj, e them me bindje të plotë se, deri tani, nuk kam gjetur asnjë teknologji më të mirë se sa një stilolaps me një bllok shënimesh që të më ndihmojnë gjatë procesit të planifikimit apo organizimit të punës së përditëshme.

Gjithashtu, kam kuptuar që kjo dukuri është shumë e përhapur! Mund të them me garanci se e kam dëshmuar shumë herë këtë fakt te mjaft menaxherë, CEO apo njerëz të tjerë të cilët çdokush do t’i konsideronte të suksesshëm në atë që bëjnë. Pavarësisht përmirësimit të vazhdueshëm të teknologjive për biznesin, ata vazhdojnë të përdorin stilolapsin dhe letrën/bllokun për të mbajtur shënime si dhe për të organizuar mendimet apo punën e tyre të përditshme. Më pas këto shënime mund të kalohen në celular apo në kompjuter, por për ta, procesi kreativ apo organizativ mendor kryhet më mirë me një stilolaps dhe letër!

Avantazhi kryesor i përdorimit të stilolapsit dhe letrës është pikërisht mundësia për t’u fokusuar apo për t’u përqëndruar plotësisht në atë që duhet të bëni pa u shkëputur vëmendja nga teknologjitë e tjera (si p.sh. kompjuteri, celulari, etj) apo edhe vetë njerëzit që keni përreth. Ndonëse shumëkush është joshur nga ideja dhe i mban bindjen se mund të bëjë shumë gjëra njëherësh (ajo që ndryshe quhet ‘multitasking’), fakti mbetet, dhe studimet e kanë provuar, që ne i bëjmë gjërat më mirë kur i bëjmë një-nga-një. Sidomos, për sa i përket diskutimit në fjalë – procesit kreativ, planifikimit të punës apo organizimit të ideve. Ky proces kryhet më mirë kur ne i japim përqëndrim dhe vëmendje të plotë. Kjo është e vetmja arsye pse mbetem mbështetës i fortë i përdorimit të kësaj teknologjie ‘të lashtë’ siç është stilolapsi dhe letra!

Në çdo rast duhet të pranojmë se teknologjia më e mirë është ajo që na lejon të bëjmë më mirë punën tonë por njëherazi duhet të jemi të kujdesshëm kur ajo mund të na kufizojë të bëjmë gjëra bazë siç është procesi i të menduarit! Për disa prej nesh, stilolapsi dhe letra janë brenda kompjuterit apo tablet-it që mbajnë gjithë kohës me vete, ndërsa për të tjerë mbetet blloku i shënimeve apo copa letrash që i mbajmë gjithnjë me vete. Në fund të ditës, jeni ju vetë që duhet të analizoni dhe kuptoni se cila është teknologjia apo mjetet që ju lejojnë të bëni më mirë atë që quhet planifikimi apo organizimi i punës tuaj.

Elvis Plaku/sfida biznesi/

Ju rekomandojmë