Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë sot se masat e reja antiCOVID i përgjigjen situatës së tanishme pandemike në vend por edhe nevojës për të qenë të kujdesshëm ndaj virusit i cili me disa variante të tij vazhdon të jetë prezent në mesin tonë.
Kurti një ditë pas vendimit për masat e reja antiCOVID tha se po ashtu se Qeveria vitin 2022 e ka shpallur vit të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit në Facebook:
Masa të reja kundër COVID-19, promovim dhe respektim i diversitetit e barazisë, katër projektligje të miratuara dhe dy vendime të mëhershme të shfuqizuara
Mbledhjen e mbrëmshme të Qeverisë, të 46-tën, e zhvilluam në mënyrë elektronike. Si vendim të parë, miratuam masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Ato i përgjigjen situatës së tanishme pandemike në vend por edhe nevojës për të qenë të kujdesshëm ndaj virusit i cili me disa variante të tij vazhdon të jetë prezent në mesin tonë.
Shpallëm vitin 2022 – Vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. Së bashku do të punojmë për një shoqëri me gjithë përfshirje e mundësi për të gjithë.
Ndër 14 vendimet e kësaj mbledhje nga 408 sa kemi marrë gjithsej që nga fillimi i qeverisjes sonë, katër ishin për miratimin e projektligjeve nga fushëveprimi i Ministrisë së Mbrojtjes, tek ai i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e deri te i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Shtuam ligjshmëri duke shfuqizuar edhe dy vendime të qeverive të mëparshme. Njëri i qershorit të vitit 2018 për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror. Tjetri i qershorit të vitit 2019 për rekomandimin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes në lidhje me ristrukturimin e disa pozitave në këtë ministri.
Vazhdojmë punën si dhe përgatitjet për vendime tjera të mira… /Telegrafi/