Reklama

Ligji për Pagat në Kosovë shkon në Qeveri në muajin mars, Paga Minimale 250 Euro

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars të këtij viti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përsëritur zotimin e tij se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars.

Ai ka thënë se ministrisë po i merr kohë analizimi i ligjit, por ka shtuar se “kjo do të shërbejë që ligji të jetë i zbatueshëm”.

“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë – në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese. Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, ka thënë ai duke shtuar se me ligjin që planifikohet të miratohet “do të ketë sistem të mirëfilltë, afatgjate, të zbatueshme e funksionale të pagave dhe shpërblimeve”.

Sveçla ka thënë se MPB-ja po punon me Ministrinë e Financave për të caktuar koeficientin për të pasur barazi në sektorin publik.

Ai ka paralajmëruar hapjen e debatit publik në muajin shkurt.

Nga Qeveria, javë më parë kanë thënë se janë duke punuar në Ligjin për Paga, që siç kanë thënë qëllimi primar i tij do të jetë që të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik, për dallim nga ai paraprak, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri Kurti është zotuar se paga minimale do të ngritët në 250 euro.

Çështja e Projektligjit për pagat, është bërë temë e sindikalistëve të sektorëve të ndryshëm në Kosovë, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ky projektligj të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe që si ligj të zbatohet nga viti 2022.

Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, pati dërguar në Projektligjin për pagat më Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro. Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri. Ndërrimi i shpeshtë i qeverive e ka lënë çështjen e Ligjit për pagat në margjinat e interesimit të pushtetit ekzekutiv.

Ky Ligj pritet të rregulloj pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1, kurse vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Në bazë të Ligjit për Paga ndryshime në paga ka pasur edhe për këshilltarët e Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Në kuadër të tyre, pagën më të lartë pritet ta kenë shefat e personelit në Kuvend dhe Qeveri, të cilët në bazë të koeficientit 7.75 ata do të paguhet 1,852.25 euro, ndërsa shefi i kabinetit në Presidencë dhe Qeveri do të paguhet 1,493.75 euro, pasuar nga zëvendësshefi i personeli në Kuvend që do të paguhet me koeficientin 6.5 apo 1,553.50 euro.

Sipas Ligjit, këshilltari i Kryetarit të Kuvendit do ta ketë pagën 1,434 euro, ndjekur nga këshilltari politik 1 në Presidencë dhe Qeveri që do të paguhet me koeficientin 5 apo 1,195 euro ashtu sikurse këshilltari i lartë politikë 2 në Qeveri, ndërsa këshilltar politik 2 në Qeveri do të merr pagë 908.2 euro.

Shef i Protokollit në Presidencë dhe Qeveri do të paguhet sipas koeficientit 4.7 apo 1,123.30 euro.

Këshilltar i Grupit Parlamentar do të merr pagë 884.30 euro, ndërsa asistenti i Kryetarit të Kuvendit do të paguhet 836.5 euro. Sipas nenit 34, ky Ligj hyn në fuqi nëntë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës./Monitor/

Ju rekomandojmë