Reklama

Lajmi i rremë për pagesat për skemat sociale dhe pensionet

Lajmi nuk është i vërtetë. Titulli nuk korrespondon me përmbajtjen sepse përmbajtja flet për ekzekutimin e parave për pensionistet dhe skemat sociale në muajin gusht, një lajm tashmë I vjetër, ndërsa në titull thuhet se pagesat janë bërë për Vitin e Ri.

Një përmbaje e vjetër e një njoftimi është përdorur për të prodhuar një lajm të rremë. Faqja “do24news.com” publikoi të hënën më 15 nëntor një lajm me titull: “E Fundit: Për nder të Vitit të ri, një lajm i mirë për pensionistët dhe ata që marrin pagë sociale”.

Por, në tekstin e këtij lajmi është përshkruar krejt diçka tjetër. Në fakt, teksti është i vjetër dhe bëhet fjalë për muajin gusht e jo për muajin dhjetor, sic përshkruhet në titull.“Ministria e Financave përmes një njoftimi bën të ditur se sot ka bërë ekzekutimin e pagesave për muajin gusht të skemave sociale dhe pensioneve.

Për nder të festës së Vitit te ri, ekzekutimi i pagesave është bërë disa ditë më herët nga ekzekutimi i rregullt”, thuhet në tekstin e lajmit.

Janë dy fjali që bien në kundërshtim me njëra tjetrën, pasi në fillim flitet për pagesat e muajit gusht, ndërsa tutje flitet për pagesat që do të bëhen para festës së Vitit të Ri. Në fakt ekzekutimi i pagesave për muajin gusht ishte bërë më herët për shkak të festës së Kurban Bajramit.

Kështu, portali në fjalë ka publikuar një lajm të rremë pasi viti i ri është më 31 dhjetor, në muajin e fundit të vitit e jo në muajin gusht.I njëjti lajm i rremë është publikuar edhe në rrjetin shoqëror Facebook ku ka marrë mjaftë shumë reagime me pëlqime, komente e shpërndarje të lajmit.Kështu, lajmi i njëjtë ka 264 pëlqime, 46 komente e 10 shpërndarje. / kallxo.com/

Ju rekomandojmë