Reklama

Kuvendi shqyrton vendimin për vazhdimin e masave emergjente për energjinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në seancë plenare për të shqyrtuar vendimin për vazhdimin e masave emergjente për energjinë.

Seanca pritet të fillojë në ora 10:00, e që në rend të ditës fillimisht do të jenë deklarimet e jashtë rendit të ditës, për të vazhduar më pas me pyetjet parlamentare.

Në rend dite do të jetë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 62-të ka marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike në vend.

“Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, u miratua edhe vendimi për vazhdimin e afatit të mbetjes në fuqi të Vendimit 01/51 i datës 24.12.2021 për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditët e ardhshme. Në arsyetimin e miratimit të këtij vendimi është theksuar se gjendja e furnizimit me energji vazhdon të jetë e rëndë dhe masat e miratuara me këtë vendim kanë lehtësuar menaxhimin e situatës së krijuar dhe konsiderohet se një ndikim i tillë pozitiv në menaxhimin e situatës do të vazhdojë”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Kuvendi kishte miratuar vendimin e Qeverisë për ta shpallë emergjente gjendjen me energji elektrike, e cila do të vlente për 60 ditë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë