Kryeministri Albin Kurti ka shpërndarë disa fotografi nga pritja e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, para fillimit të Forumit të Paqes.
“Në Pallatin Élysée, bashkë me Ritën, mysafirë të Presidentit francez Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, në prag të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris”, ka shkruar Kurti krah fotografive të shpërndara në Facebook.
Me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili do ta bëjë edhe hapjen e Forumit, të enjten në mbrëmje Kryeministri Kurti do të jetë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në këtë Forum, ka bërë të ditur të mërkurën Zyra e Kryeministrit.
“Të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën ‘Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt’, ndërkohë që gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë disa takime”, është thënë në njoftim./Koha