Banimi social është infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, për barazi sociale e për të fuqizuar e zhvilluar komunitetet, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të tryezës së rrumbullakët për Programin e Banimit Social.
Kurti është shprehur se funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë.
“Funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë, sigurimit të banimit të përballueshëm për komunitetet me të ardhura më të ulëta dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme”, tha Kurti.
Ai theksoi se Qeveria është duke punuar në këtë drejtim.
“Ne synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes skemës 120×120 dhe 150×150, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit”, theksoi ai.
Në këtë tryezë u prezantua dhe diskutua Propozimi për Programin e Banimit Adekuat Social për Kosovë.
Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, në partneritet me UN Habitat-in Kosovë dhe mbështetur nga CEB. /Telegrafi/