Kriptovalutat kanë vazhduar rënien gjatë fundjavës, me Bitcoin që ka humbur thuajse gjysmën e vlerës që prej nivelit rekord të lartë të muajit Nëntor. Bitcoin, kriptovaluta më e madhe në botë me vlerë tregu, ra me 8% në fundjavë, duke u tregtuar poshtë 35,000 dollarëve. Monedha shënoi një nivel rekord të lartë prej 69,000 dollarë në Nëntor 2021. Ndërkohë, kriptovaluta e dytë më e madhe , ether, ra me 10% në rreth 2,400 dollarë.
Humbjet nisën me përmbysjen e tregut të aksioneve ditën e Enjte. Kriptovalutat dhe titujt e kapitalit kanë ecur me të njejtin trend rënës këtë muaj, ndërkohë që investitorët janë shqetësuar mbi mënyrën se si tkurrja monetare e Rezervës Federale do të ndikojë tek tregu. Bitcoin po përdoret si mbrojtës nga rritja e inflacionit, që ka ardhur nga stimujt qeveritarë, por analistët thonë se qasja më e ashpër e Rezervës Federale mund të ndikojë tek tregu i kriptovalutave.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se rregullatorët në Shtetet e Bashkuara do të shtojnë mbikqyrjen tek aktivet dixhitale. Banka Qendrore e Rusisë propozoi ndalimin e përdorimit dhe prodhimit të kriptovalutave këtë Javë. Autoritetet argumentuan se përbën një kërcënim ndaj stabilitetit financiar, mirëqënies së qytetarëve dhe sovranitetit të politikave monetare.
Klevis Llaha / SCAN