Reklama

Kosova zgjidh mosmarrëveshjet me kompanitë e transportit

Oda e Afarizmit të Kosovës

Ju njoftojmë se pas pranimit të ankesave, OAK ka reaguar duke kërkuar sqarime shtesë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sot gjatë ditës, jemi pritur në takim nga zv.Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Hysen Durmishi, me qëllim të shprehjes së shqetësimeve tona lidhur me shqiptimin e këtyre gjobave për kompanitë transportuese, duke kërkuar sqarime shtesë rreth tyre.

Zv.Ministri Durmishi në këtë takim na ka njoftuar se nga sot Sekretari i Përgjithshëm i MMPHI-së ka kërkuar nga inspektorët pezullimin e përkohshëm të shqiptimit të gjobave deri në veprimet e radhës.

Ndërsa që, sipas kërkesës për sqarime rreth këtyre gjobave, i njëjti theksoi se me çdo shtet, përfshirë edhe Shqipërinë, Kosova ka marrëveshje bilaterale për kuotat e transportit.

Këtë marrëveshje Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta ketë me Qeveritë e këtyre shteteve: Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Andaj, në zbatim të Ligjit për Transportin Rrugor, përkatësisht nenin 44, par. 1,2 dhe 3 të këtij ligji janë shqiptuar këto gjoba. Ashtu që, sipas këtij neni të këtij ligji, kompanive transportuese jo rezidente ju ndalohet komplet hyrja në territorin e RKS, mirëpo me qëllim që të mos dëmtohen bizneset janë lejuar të hynë në Kosovë, pas pagesës së gjobës.

Ndërsa që, sipas zv.Ministrit veprimi i radhës të cilin do ta ndërmarrin deri në arritjen e marrëveshjeve bilaterale me këto shtete është autorizimi i pikave doganore për dhënie të lejeve të posaçme për transport ndërkombëtar për operatorët jo rezident në Republikën e Kosovës.

OAK është duke lobuar në vazhdimësi për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat po ballafaqoheni, andaj ndjehuni të lirë të na shkruani për çdo shqetësim ose të delegoni çdo ankesë e cila është duke e penguar punën tuaj.

Ju faleminderit për bashkëpunimin e vazhdueshëm!

Me respekt,

Ju rekomandojmë