Reklama

Kosova e para në rajon për blerjen e mallrave në internet, Shqipëria me vetëm 7 për qind

Konsumatorët shqiptarë preferojnë që t’i blejnë mallrat dhe produktet duke u paraqitur fizikisht në njësitë tregtare, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës që gjithnjë e më shumë përdorin internetin për të porositur.

Në fakt, i gjithë Ballkani Perëndimor e përdor më pak internetin për të blerë, sipas një harte të fundit të Euostat, me më pak se 38 për qind që kanë porositur produkte online nga interneti.
Në vitin 2019, të dhënat e fundit të disponueshme për Shqipërinë, vetëm 7 për qind konsumatorëve shqiptarë përdorën internetin për të porositur mallra apo shërbime nga 5 për qind vitin e mëparshëm.

Kjo shifër është shumë më e ulët edhe se fqinjët. Maqedonia e Veriut e kishte këtë shifër 29 për qind në vitin 2019 dhe 34 për qind në 2020-në, Serbia përkatësisht me 34 për qind dhe 38 për qind, Bosnja e Hercegovina me 23 për qind dhe 28 për qind, Mali i Zi me 16 për qind dhe 23 për qind. Rekordin e mban Kosova me 38 për qind në 2019-në dhe 46 për qind në 2020-në. Kosova madje ka përdorim më të lartë të internetit për blerje private edhe se Italia, Greqia, Portugalia.

Gjithsesi, mesatarja e rajonit është shumë më e ulët se në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Sipas Eurostat, në vitin 2020, rreth 65 për qind e të gjithë të rriturve (mosha 16-74 vjeç) në BE blenë/porositën mallra ose shërbime në internet gjatë 12 muajve përpara anketës. Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç kishin 2.5 herë më shumë gjasa të kishin përdorur internetin për të bërë blerje apo 83 për qind sesa personat e moshës 65-74 vjeç apo 33 për qind.

Blerja në internet është bërë më e zakonshme në BE pasi përdorimi i internetit është i përhapur në të gjitha moshat. Konsumatorët vlerësojnë qasjen në një gamë të gjerë produktesh në çdo kohë, kudo, me përfitimin e shtuar të çmimeve speciale. Ngjarjet si e Black Friday, si dhe e hëna në internet, janë disa nga rastet kur blerjet online kanë përparësi në kalendar.

Rajoni i kryeqytetit danez të Hovedstaden regjistroi prirjen më të lartë për të përdorur tregtinë elektronike me 91 për qind në të gjitha rajonet e BE-së, e ndjekur nga rajoni danez i Midtjylland dhe rajoni holandez i Utrecht, të dyja me 90 për qind.

Në të kundërt, katër rajone në Bullgari kishin peshën më të ulët në vitin 2020 ishin Severen Tsentralen me 25 për qind, Yuzhen Tsentralen dhe Yugoiztochen me 26 për qind dhe Severozapaden me 27 për qind.

Ju rekomandojmë