Reklama

Kosova duhet të vendosë tavan të çmimeve urgjentisht edhe te produktet bazike ushqimore

Pos ndikimit direkt, ndikimi tjetër nga lufta ruso – ukrainase në ç’ekuilibrimin e çmimeve në Kosovë, deri në gjendjen më shqetësuese dhe deri në kaos, vie nga vet tregtarët abuzues kosovarë, të cilët si përherë, me qëllim të pasurimit të shpejtë, duan të shfrytëzojnë situatën me veprime abuzive dhe manipuluese.

Mehmet GJATA

Sado që nga zyrtarë kosovarë dhe njohës të zhvillimeve ekonomike dhe sidomos të tregjeve financiare po tentohet të relativizohet goxha shumë ndikimi i luftës ruso-ukrainase në vendin tonë, sidomos në ecuritë e lëkundjes së çmimeve, duhet thënë se kjo luftë nuk është edhe pa ndikim goxha të ndjeshëm në Kosovë. Fakti, që nga fillimi i luftës kanë shpërthyer një numër çmimesh, sidomos i karburanteve, por edhe i produkteve bazike ushqimore, është sinjal i mjaftueshëm për të parë këtë ndikim. Me fjalë të tjera, nuk mund të jetë pa ndikim lufta e dy shteteve të mëdha, nga të cilat Kosova brenda vitit importon miliona euro mallra të ndryshme.

Më saktësisht, sipas të dhënave të zyrtarëve të Doganave të Kosovës, më 2021 Kosova ka importuar afër 100 milionë euro nga Ukraina dhe Rusia, kryesisht produkte metali dhe druri. Kjo shumë parash dhe produktet e importuara nga këto vende, mbase nuk e kanë ndikimin e drejtpërdrejtë në lëkundjen e ecurive të çmimeve te ne, por ndikimi indirekt që mund të jetë shumë i madh, Kosovës i vie nga shtetet e tjera nga të cilat Kosova importon shumë, ndër to edhe produkte bazike ushqimore, dhe që ndikohen në përmasa shqetësuese nga lufta.

Ndikimi tjetër nga lufta ruso – ukrainase në ç’ekuilibrimin e çmimeve në Kosovë, deri në gjendjen më shqetësuese dhe deri në kaos, vie nga vet tregtarët abuzues kosovarë, të cilët si përherë, me qëllim të pasurimit të shpejtë, duan të shfrytëzojnë situatën me veprime abuzive dhe manipuluese. Dhe këta tregtarë zhvatës nuk janë të paktë në Kosovë. Ata, këtyre ditëve, vazhdimisht shantazhojnë institucionet e vendit me paralajmërime të reja për rritje çmimesh, sidomos të karburanteve dhe të miellit, të bukës pra, dy produkteve jetike dhe të domosdoshme për një jetë më normale në secilin vend.

A mund të parandalohen këto tendenca dhe përpjekje të tregtarëve zhvatës dhe maksimalisht abuziv?

Gjithsesi po. Edhe në këto rrethana aktuale dhe në sosh të ekonomisë së tregut, ku dominon parimi i ofertës dhe kërkesës në përcaktimin e çmimeve, shteti dhe instititucionet e tij duhet dhe kanë mundësi, gjithnjë në kuadër të ligjit dhe duke respektuar ligjet, të intervenojnë, të ndërmarrin masa edhe urgjente, për të mos lejuar kaosin që do të krijonin ngritjet abuzive të çmimeve dhe për të mbrojtur konsumatorët nga ky kaos.

Gjithsesi, është për të përshëndetur paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës se do të përcaktojë çmimet maksimale për naftë dhe derivate të naftës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve.

“Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, Qeveria mori vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë”, u tha në komunikatën e Qeverisë.

Dhe, frika prej spekulimit me çmimet për shkak të situatës së krijuar në tregun e hidrokarbureve, ka detyruar edhe shtete të tjera të vendosin dhe të aplikojnë masa për parandalimin e abuzimeve dhe spekulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm, në radhë të parë. Athina zyrtare, ta zëmë, këto ditë pas shpërthimit të luftës ruso – ukrainase ka vendosur tavan në marzhin e fitimit për tregtarët e karburanteve dhe drithërave në pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të këtyre produkteve. Ministri i zhvillimit të këtij vendi, duke e bërë publik vendimin e Qeverisë së vendit të vet, deklaroi me këtë rast se do të depozitojë në parlament brenda pak orësh projektligjin i cili detyron tregtarët të kenë një marzh të përcaktuar fitimi të produkteve, pasi sipas tij, me krizën e Ukrainës, janë vënë re raste të abuzimit me çmimet, sidomos në tregun e karburanteve në vend.

“Projekt-ligji i qeverisë do të përcaktojë hapësirën që kanë tregtarët për të fituar, por kurrsesi nuk do t’i lejojmë ata që do të tentojnë të abuzojnë me çmimet, pikërisht në këtë moment kaq të vështirë për vendin”, deklaroi minstri grek në një intervistë radiofonike.

Sipas tij, qeveria ka marrë masa për të parandaluar rritjen zinxhir të çmimeve në produktet e mallrave që preken prej krizës ukrainase, siç janë drithërat dhe nënproduktet e tyre, pasi Greqia importon sasi të mëdha gruri nga Ukraina dhe Rusia. Shteti helen ka paralajmëruar të ndërmarrë masa edhe për çmimin e mishit dhe qumështit si dhe të nënprodukteve të tyre për të shmangur abuzimet. Dhe, “në rastet që do të konstatohen abuzime, gjobat parashikohen tepër të rënda, kështu nuk do të guxojë askush të tentojë të përfitojë atë që nuk meriton”, tha zyrtari grek.

S’do mend se në këtë situatë dhe në këto rrethana, kur sheshit kanë shpërfaqur tendencat e tyre zhvatëse tregtarët abuzivë kosovarë, edhe Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera relevante, do të duhet të përcaktojnë një tavan për çmimet e produkteve elementare ushqimore, krahas atyre të karburanteve. Dhe të paralajmërohen ky soj tregtarësh se në rast të shkelljes së këtij tavani, do të pasojnë gjobat e ashpra për të gjithë mosrespektuesit e vendimeve të shtetit.

Duhet, pra paralajmëruar edhe naftëtarët, të cilët pa fije turpi dhe publikisht të mërkurën, siç transmetuan shumë medie tonat, shantazhuan haptaz Qeverinë për vendimin e paralajmëruar me gjoja ndërprerjen e veprimtarisë për 90 ditë, nëse nuk u lejohet marzha e fitimit që e duan dhe e kërkonin ata. Po kështu, duhet paralajmëruar edhe mullisët e Kosovës, pronarët e mullinjëve të shumtë anembanë vendit, të cilët sipas informatave të besueshme të Buletinit Ekonomik, kanë sasi të mëdha rezervash gruri, që të mos abuzojnë me çmime në rrethanat aktuale. Çmimet e bukës në Kosovën e varfër për kosovarët e lodhur financiarisht, janë ngritur tejmase tashmë. S’kanë ku të shkojnë përtej. Ngritja e mëtejshme e bukës te ne çon në kaos social, ç’rregullim të jetës modeste normale, por edhe në rrezik të ç’ekulibrimit fatal social. Prandaj, shteti dhe institucionet e tij, duhet caktuar një orë e më parë tavanin për çmimet e bukës dhe produkteve të tjera nga mielli. /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë