Nga janari deri në tetor 2023, kompanitë e sigurimit në Kosovë vetëm nga sigurimi kufitar kanë realizuar të hyra 7.5 milionë euro. Nga kjo shumë, për pagesën e dëmeve nga aksidentët kanë shkuar vetëm 5 milionë euro, apo rreth 2.5 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Krejt kjo, falë një vendimi favorizues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas të cilit, trajtimi i dëmeve nga sigurimi kufitar dhe dëmeve nga aksidentet e shkaktuara nga mjetet motorike të paidentifikuara dhe të pasiguruara, do t’ju kalojë në kompetencë kompanive veç e veç.
Vendimi është marrë më 27.05.2023 nga Byroja e Sigurimeve dhe ka marrë aprovimin edhe të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismailit.
Këtë favor nga BQK, kompanitë e sigurimit kanë filluar ta shfrytëzojnë qysh në vitin e parë.
Sipas statistikave të publikuara nga BQK, për janar-tetor 2023, të hyrat nga sigurimi kufitar ishin 7.5 milionë euro, derisa për pagesën e dëmeve për qytetarët kanë shkuar vetëm 5 milionë euro. Kjo është për 32 për qind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur të hyrat nga sigurimi kufitar ishin 7 milionë euro, ndërsa 7.4 milionë euro dëmet e paguara.
Deri më tani kjo ka qenë kompetencë e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), në përbërje të së cilës janë të gjitha kompanitë e sigurimit dhe e cila mbikëqyret nga Banka Qedrore e Kosovës.
Në kuadër të BKS-së funksionon Fondi i Kompensimit i krijuar me ligj, i cili ka për qëllim kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet në trafik, në rastet kur shkaktar i aksidentit është një mjet motorik i pasiguruar apo i paidentifikuar.
BKS ka menaxhuar edhe me sigurimin kufitar, apo për të gjitha ato vetura me tabela të huaja që kartoni i gjelbër nuk e mbulon edhe Kosovën. Kryesisht këtë kategori e dominon diaspora. Me vendimin e ri, kjo kompetencë do t’iu kalojë kompanive të sigurimit.
Buletini Ekonomik mëson se vendimi është marrë nga Asambleja e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, por që ka gjetur mbështetjen e guvernatorit Ahmet Ismaili. Në të kaluarën, kjo kërkesë nuk ishte miratuar nga asnjë guvernator, për t’i ikur konfliktit të interesit dhe rrezikut që kompanitë mund të abuzojnë me të drejtat e të aksidentuarve në Kosovë, nga kjo kategori.
Vlerësohet diku se rreth 90 për qind e kërkesave për zhdëmtim përfundojnë në gjykata, e të cilat marrin kohë me vite për t’u trajtuar.
Përmes këtij vendimi, kompanitë e sigurimit vetë do të vendosin për vlerën e kompensimit si dhe rritet rreziku që rastet qëllimshëm të mos përfundojnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, por të kalojnë tek gjykatat.
Në BQK nuk janë përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik rreth arsyes prapa një vendimi të tillë. Ata përgjegjësinë e kanë hedhur tek Byroja Kosovare e Sigurimit. Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
“Në bazë te ligjit, Delegimi i dëmeve nga BKS tek anëtarët e saj, nuk është në kompetencën e BQK-së, kjo është në kompetencën e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme te BKS”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.
Ndërkaq, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-018 Për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht Nenin 18 paragrafin 3, thuhet se “Byroja mund t’ia delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve njërit prej anëtarëve të vet ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, e cila është e detyruar të trajtojë dhe të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit”.
Ndërkaq, eksperti i sigurimeve, Besnik Nikçi, ka thënë se në kuptimin ligjor por edhe si praktikë ndërkombëtare, ky vendim është krejt në rregull, mirëpo ka shtuar se ka dilema rreth asaj se a kanë kompetencë profesionale dhe vullnet kompanitë e sigurimit për trajtim profesional të dëmeve nga aksidentët, nga kjo kategori.
“Nga mënyra se si janë trajtuar dëmet në të kaluarën lë shumë për të dëshiruar. Pjesa më e madhe dëmeve përfundojnë në gjykata, ku rastet vonohen me vite”, ka thënë Nikçi.
Aktualisht në industrinë e sigurimeve dhe nëpër gjykata, sipas statistikave zyrtare, janë 32 mijë raste që kanë probleme me kompensim të dëmit. Këto raste njihen si dëme pezull, ndërsa kërkesat financiare për këto 32 mijë raste të dëmeve shkojnë deri në 80 milionë euro. Dëmet pezull, janë dëmet që presin, qoftë nëpër kompani të sigurimeve, qoftë nëpër gjykata për tu zgjidhur, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore në dëm të qytetarëve (policëmbajtësve). /Buletini Ekonomik/