Bankat më të mëdha të Kinës po ofrojnë gjithnjë e më shumë mbështetje të konsiderueshme financiare për Rusinë ndërsa sanksionet vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj bankave perëndimore.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, rregullatorët perëndimorë kanë goditur Rusinë duke vendosur sanksione dhe duke u kërkuar institucioneve bankare që të tërhiqen nga operacionet në vend. Huadhënësit kinezë tani po mbushin boshllëkun e krijuar.
Katër bankat më të mëdha në Kinë kanë katërfishuar ekspozimin e tyre ndaj sektorit bankar të Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Në fillim të vitit 2022, Banka e Kinës, Banka Industriale dhe Tregtare e Kinës, Banka e Ndërtimit të Kinës dhe Banka Bujqësore e Kinës mbanin së bashku një ekspozim prej 2.2 miliardë dollarësh.
Sipas të dhënave të bankës qendrore ruse, ky ekspozim u rrit në afro 10 miliardë dollarë gjatë periudhës 14-mujore që përfundoi në mars të këtij viti. Kreditë e dhëna nga bankat kineze për bankat dhe institucionet e kreditit në Rusi, kryesisht duke përfshirë juanin si zëvendësim për dollarë dhe euro, tregojnë se sanksionet kanë një ndikim të kufizuar./scan/